Bruksel, 19 nëntor, NOA Foto Update/ Eglantina Nasi - Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, zhvilloi sot një vizitë në Bruksel gjatë të së cilës u takua me komisionerin e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Stefan Fyle.
Qëllimi i vizitës ishte diskutimi i krizës politike dhe gjetja e një zgjidhje e cila do të mundësonte njëherazi transparencën e zgjedhjeve të fundit dhe nisjen e reformës zgjedhore.
Diskutimi i përqendrua veçanërisht në ofertën e fundit të Partisë Socialiste, e cila në fillim të javës u përshëndet edhe nga zyra e komisionerit Fyle që e cilësoi këtë ofertë si një mundësi për zgjidhjen e ngërçit politik, duke ftuar qeverinë që ta pranonte këtë kompromis.
Gjatë bashkëbisedimit kryetari i opozitës preku edhe çështje të rëndësishme të ngritura në opinionin e komisionit Europian, veçanërisht për lirinë e medias dhe presionin e kanosjes që ushtron qeveria shqiptare rregullisht ndaj botuesve të shtypit kritik.
Edi Rama i shprehu po ashtu komisionerit Fyle mirënjohjen e PS për mbështetjen që Komisioni Europian dhe vendet anëtare u dhanë shqiptarëve duke liberalizuar vizat.
n.e/NOA