Uashington, 19 Nëntor 2010 NOA – Me ndihmën e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, NOA publikon pjesën e plotë për Shqipërinë, te Raporti i Departamentit te Shtetit te SHBA mbi Lirinë Ndërkombëtare te Fesë.
SHQIPËRIA
Kushtetuta garanton lirinë e fesë dhe ligje e politika të tjera kontribuuan gjithashtu në ushtrimin e lirë të fesë. Qeveria në përgjithësi respektoi liritë fetare në praktikë. Nuk pati ndryshim në statusin e respektimit të lirisë së fesë gjatë periudhës së raportimit. Nuk pati raportime për abuzime apo diskriminim shoqëror mbi bazë identifikimi, besimi, apo ushtrimi fetar. Qeveria e Sh.B.A. diskuton mbi lirinë fetare si pjesë e politikës së saj të përgjithshme për të mbështetur të drejtat e njeriut. Seksioni I. Demografia Fetare Vendi ka një sipërfaqe prej 11,100 milje katrore dhe një popullsi prej 3.6 milionë banorë. Nuk kishte në dispozicion të dhëna të besueshme mbi pjesëmarrjen apo anëtarësinë fetare; regjistrimi i fundit zyrtar i popullsisë që përfshinte të dhëna të tilla ishte kryer në vitin 1939. Shumica e shtetasve nuk ushtrojnë ndonjë besim në mënyrë aktive; megjithatë, katër grupet fetare tradicionale janë myslimanët (sunitë), bektashinjtë (një formë e sufizmit shia), të krishterët ortodoksë (Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë), si dhe katolikët romakë. Gjithashtu, ka edhe shifra thelbësore të feve protestante dhe grupeve të tjera fetare, përfshi Bahait, Dëshmitarët e Jehovait, si dhe anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtëve të Ditëve të Mëvonshme (mormonët). Komiteti Shtetëror për Kultet raportoi më shumë se 230 grupe, organizata, fondacione dhe institucione arsimore fetare që veprojnë në të gjithë vendin. Seksioni II. Statusi i Respektimit nga Qeveria për Lirinë Fetare Kuadri Ligjor/i Politikave Kushtetuta siguron lirinë e fesë dhe ligje e politika të tjera kontribuan për një ushtrim përgjithësisht të lirë të fesë. Qytetarët kanë të drejtë të padisin qeverinë për cënim të lirisë së tyre për ushtrimin e lirë të fesë. Qeveria është shekullare me ligj. Sipas Kushtetutës, nuk ekziston një fe zyrtare dhe të gjitha fetë janë të barabarta; megjithatë, bashkësitë mbizotëruese fetare (myslimanët sunitë, bektashinjtë, ortodoksët dhe katolikët) gëzojnë një shkallë më të madhe njohjeje zyrtare (p.sh. festat kombëtare) dhe status shoqëror bazuar mbi praninë e tyre historike në vend. Qeveria shënon si festa zyrtare festimet e mëposhtmë fetare: Pashka (Katolike dhe Ortodokse), Krishtlindja, Bajrami i Madh, Bajrami i Vogël dhe Novruzi. Qeveria nuk kërkon regjistrim apo licensim të grupeve fetare; megjithatë, Komiteti Shtetëror për Kultet mban të dhëna dhe statistika për organizatat fetare të huaja që e kontaktojnë atë për ndihmë. Lëvizjet fetare mund të marrin status zyrtar të një personi juridik duke u regjistruar pranë Gjykatës së Rrethit Tiranë sipas Ligjit për Organizatat Jo-Fitimprurëse, i cili njeh statusin e një shoqate jo-fitimprurëse pavarësisht nëse organizata ka karakter kulturor, argëtues, fetar, apo humanitar. Regjistrimi u jep grupeve fetare të drejtën të mbajnë llogari bankare dhe të zotërojnë prona si edhe status përjashtimi nga taksat deri në një nivel të caktuar. Katër bashkësitë fetare tradicionale nënshkruan marrëveshje me qeverinë në tetor të vitit 2008, marrëveshje që u jep përjashtime më të gjera nga taksimi si edhe privilegje të tjera. Komiteti Shtetëror për Kultet, nën juridiksionin e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, është ngarkuar me rregullimin e marrëdhënieve midis qeverisë dhe bashkësive fetare si dhe me mbrojtjen e lirisë fetare dhe promovimin e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit ndërfetar. Komiteti pretendon se të dhënat e tij për organizatat fetare lehtësojnë dhënien e lejeve të banimit nga policia për punonjësit e huaj të organizatave të ndryshme fetare. Asnjë organizatë nuk raportoi ndonjë vështirësi në marrjen e lejeve të qëndrimit gjatë periudhës së raportimit. Misionarët e huaj kanë marrë përgjithësisht leje qendrimi një vjeçare si fillim, sipas një ligji të ri miratuar në vitin 2009 mbi rezidencën e të gjithë qytetarëve të huaj. Sipas këtij ligji, qytetarët e huaj marrin leje qendrimi një-vjeçare me aplikimin për herë të parë, pasuar më tej nga dy leje qendrimi dy-vjeçare. Pas kësaj mund të lëshohen leje qendrimi të përhershme. Neni 10 i Kushtetutës kërkon marrëveshje të veçanta dypalëshe për të rregulluar marrëdhëniet midis qeverisë dhe bashkësive fetare. Kisha Katolike ka pasur një marrëveshje të tillë me qeverinë që nga viti 2002. Në tetor 2008, qeveria nënshkroi marrëveshje me bashkësitë myslimane, ortodokse dhe bektashiane. VUSH, një organizatë protestante ombrellë, ka kërkuar të konkludojë një marrëveshje dypalëshe. Mes avantazheve të pasjes së një marrëveshje përfshihet njohja zyrtare e bashkësisë, rikthimi me përparësi i pronave dhe përjashtimi nga taksat. Mbështetja financiare nga qeveria dhe subvencionet shtetërore për pagat e klerikëve do të zbatoheshin bazuar mbi një ligj për financimin e bashkësive fetare miratuar në qershor të vitit 2009. Megjithatë, në praktikë ka pasur shumë pak përparim për rikthimin e pronave fetare. Sipas Ministrisë së Arsimit, shkollat publike janë shekullare dhe ligji ndalon indoktrinimin ideologjik dhe fetar. Feja nuk jepet si mësim në shkolla publike. Sipas shifrave zyrtare, bashkësitë, organizatat dhe fondacionet fetare kishin 103 shoqata e fondacione lidhur me to, ku 101 prej tyre administronin 101 institucione arsimore, nga të cilat 15 ishin shkolla me lidhje zyrtarisht fetare. Me ligj, Ministria e Arsimit duhet t’i licensojë këto shkolla dhe programet mësimore duhet të përputhen me standartet kombëtare të arsimit. Grupet katolike dhe myslimane administronin shkolla të shumta të licensuara nga shteti dhe nuk raportuan probleme për marrjen e licensave për shkolla të reja. Kisha Ortodokse dhe bektashinjtë administronin qendra arsimore ekskluzivisht fetare për trajnimin e klerikëve. Kufizime mbi Lirinë Fetare Qeveria përgjithësisht respektoi lirinë fetare në praktikë. Gjatë periudhës së raportimit, nuk pati ndryshim në statusin e respektimit të lirisë fetare nga qeveria. Nuk ka ligj që ndalon mbajtjen e veshjeve apo simboleve fetare. Drejtorët e shkollave kanë të drejtë të përcaktojnë standartet për “veshjen e përshtatshme,” çka me raste përfshinte kufizime ndaj ekspozimit publik të simboleve fetare. Gjatë periudhës së raportimit, pati pasur raportime se drejtorët në shkolla te mesme shtetërore kanë ndaluar të ndjekin mësimin studente muslimane ngaqë mbanin shami në kokë. Qeveria vazhdoi të trajtonte pretendimet nga secili prej katër grupeve tradicionale fetare lidhur me kthimin apo kompensimin e pronave të marra gjatë ish epokës komuniste; megjithatë, shumë nga pretendimet për prona mbetën të pazgjidhura. Pas marrëveshjeve të reja dypalëshe të nënshkruara në vitin 2008, Agjencia Kombëtare për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave u udhëzua t’iu jepte përparësi pronave të zotëruara nga bashkësitë fetare mëgjithëse ka pasur ecuri të ngadaltë. Kisha Ortodokse vazhdoi ndërtimin e një katedraleje të re në Tiranë, që do të jetë një nga më të mëdhatë në Ballkan, mbi tokë që e mori si kompensim për tokën e marrë nga qeveria komuniste, por citoi mungesë veprimi për pretendime të tjera për prona në gjithë vendin. Ajo kishte gjithashtu kërkesa në pritje për kisha të reja në Gjirokastër dhe Vlorë. Si Kisha Ortodokse edhe Kisha Katolike përfshinë në pretendimet e tyre për kompensim ikona fetare dhe dorëshkrime të vyera marrë nga qeveria komuniste, të cilat mbeteshin në arkivat kombëtare. Komuniteti Islamik Shqiptar vazhdoi të kërkonte leje ndërtimi për një xhami të re në një tokë kthyer bashkësisë nëpërmjet procesit të kompensimit pas-komunist. Në fund të periudhës së raportimit, zyrtarë të Bashkisë së Tiranës nuk kanë vepruar mbi këtë kërkesë. Nuk pati raportime për të ndaluar apo të burgosur fetarë në vend. Konvertimi Fetar me Forcë Nuk pati raportime për konvertim fetar me forcë. Seksioni III. Statusi i Respektimit nga Shoqëria për Lirinë Fetare Nuk pati raportime për abuzime dhe diskriminim nga shoqëria me bazë identifikimin, besimin, apo ushtrimin fetar; nuk pati as raportime për akte domethënëse vandalizmi. Seksioni IV. Politika e Qeverisë së Sh.B.A. Qeveria e Sh.B.A. diskuton mbi lirinë fetare me qeverinë si pjesë e politikës së saj të gjithanshme për nxitjen e të drejtave të njeriut. Ambasadori dhe zyrtarë të tjerë të ambasadës shpesh kanë përfshirë udhëheqës fetarë në takime, diskutime dhe ngjarje të tjera si iftar (vakte darke gjatë muajit të Ramazanit) dhe tryeza të rrumbullakëta. Zyrtarët e ambasadës ishin aktivë në nxitjen e tolerancës fetare, angazhimin e të rinjve, grave dhe anëtarëve të tjerë të komunitetit në aktivitete të përbashkëta si seminare dhe mbedhje komunitare. Ambasadori dhe zyrtarë të tjerë të ambasadës angazhuan qeverinë gjithashtu dhe mbështetën publikisht në emër të një marrëveshje të barabartë për VUSH-in dhe një ligj të përditësuar mbi fenë. Gjatë periudhës së raportimit, ambasada i zgjeroi këto përpjekje me tre shkolla të mesme publike që punojnë me medrese për nisma me bazë komuniteti. Ambasada raportoi botimin e një libri, Rrugë për Dialog Përmes Feve në Shqipëri, në përfundimin e një projekti që promovonte këtë temë. Gjithashtu ambasada organizoi një video konferencë dixhitale mes udhëheqësve fetarë e komunitarë lokalë dhe një drejtuesi të një qendre komuniteti fetar në Sh.B.A., qendër e përfshirë në nxitjen e bashkëpunimit komunitar dhe dialogut përmes feve. Zyrtarë të ambasadës vazhduan të nxisnin qeverinë që të trajtojë pretendimet për pronat fetare dhe t’u kthejë ndërtesat, tokën si edhe prona të tjera grupeve fetare të cilat i kanë humbur gjatë udhëheqjes komuniste.
FUND