Shkodër, 19 Nëntor 2010 NOA - Nxënësit e shkollave të Shkodrës zhvilluan një manifestim nëpër rrugët e qytetit të tyre në mbështetje të të drejtave të fëmijëve dhe të fëmijëve të ngujuar për shkak të fenomenit të gjakmarrjes.
Në Shkodër, më shumë se 60 fëmijë janë ngujuar brenda shtëpive të tyre nga frika e gjakmarrjes, fenomen që ka prekur familjet e tyre. Manifestimi i sotëm i fëmijëve të Shkodrës u zhvillua në përkujtim të 21 vjetorit të nënshkrimit të Konventës për të Drejtat e Fëmijëve, Konventë të cilën Shqipëria e ka nënshkruar që në vitin 1992.
“Ne u bëjmë thirrje të gjithë fëmijëve, të gjithë prindërve dhe mësuesve që të bashkohen për të bërë të mundur që gjithë fëmijët e ngujuar të mund të arsimohen dhe të jenë të barabartë me ne”, - ishte apeli i tubimit.
Diana është një nga nxënësit e shumtë të shkollave të Shkodrës që manifestuan sot nëpër rrugët e qytetit, në përpjekje për të nxitur opinionin mbi një vlerësim më të madh për të drejtat e fëmijëve, të drejta tyre të mbrojtura nga Konventa e Kombeve të Bashkuara, nënshkruar edhe nga Shqipëria në vitin 1992.
Diana, duke folur me VOA, thotë se manifestimi i tyre shpreh edhe mbështetje ndaj fëmijëve të ngujuar nga frika e gjakmarrjes, të cilët janë të privuar nga e drejta për të shkuar në shkollë.
Jemi mbledhur të gjithë, këtu së bashku, për Konventën e të Drejtave të Fëmijëve, në mënyrë që fëmijët të jenë sa më të barabartë.
Ne shohim përditë që edhe fëmijët kanë probleme me fenomenin e gjakmarrjes. Disa janë të ngujuar, ndaj dhe nuk janë të gjithë sot këtu me ne. Prandaj, kemi bërë shumë parulla që thonë se ne jemi të ndryshëm, por prapëseprapë jemi të barabartë.
Në Qarkun e Shkodrës, sipas të dhënave zyrtare, rreth 60 fëmijë nuk mund të shkojnë në shkolla për shkak të frikës nga fenomeni i gjakmarrjes ku janë përfshirë familjet e tyre. Këta fëmijë jetojnë jo vetëm në zonat malore, por edhe brenda në qytet. Ndaj, mesazhi i fëmijëve të shkollave të Shkodrës, i përcjellë përmes manifestimit të tyre, kërkon që edhe këtyre fëmijëve shoqëria t’u garantojë të drejtën e jetës dhe të shkollimit.
Prej gati 10 vitesh në Shkodër po zbatohet një program i diferencuar për fëmijët e ngujuar nga frika e gjakmarrjes, program i cili synon t’u krijojë mundësi që, brenda shtëpive të tyre, ata të mund të ndjekin një program të reduktuar mesimor.
Ndërkohë, shumica e analistëve shprehen se ky program, i mbështetur fillimisht nga UNICEF, vetëm sa ka lehtësuar situatën e fëmijëve të ngujuar, por pa mundur t’u sigurojë atyre të drejtën themelore për të jetuar si gjithë bashkëmoshatarët e tyre.
{youtube}d5337oBTisM{/youtube}