Tiranë, 19 nëntor, NOA – Një vit pas dërgimit në Gjykatë të dosjes së Dritan Minxhollit, ish drejtorit të Fabrikës së Demontimit të armëve në Gërdec, për llogari të hetimit të çështjes Gërdeci, ku gjetën vdekjen 26 persona, si pasojë e shpërthimit në 15 mars të 2008-ës në fabrikën e Gërdecit, avokati i tij, ka kërkuar sot në seancën gjyqësore lirimin e Minxhollit për shkak të mbarimit të afatit të dosjes.
Avokati Arben Prifti në mbrojtjen e klientit ka kërkuar lirimin e tij nga burgu, pasi sipas tij kanë përfunduar të gjitha afatet e paraburgimit, por mësohet se Gjykata e Tiranës do të vendosë të mërkurën e ardhshme për lirimin apo mbajtjen në burg të Minxollit.
Gjyqtarët e çështjes kërkuan kohë për llogaritjen e kohës së paraburgimit.
Por, avokatët mbrojtës Maks Haxhia dhe Arben Prifti mësohet se në kundërshtim me shtyrjen e marrjes së vendimit kanë braktisur seancën gjyqësore.
Si shkaktarë të tragjedisë së rëndë të ndodhur në Gërdec, ku humbën jetën 26 persona dhe plot 300 të tjerë u lënduan, prokuroria ka vënë në bankën e të akuzuarve 29 vetë.
Mes të akuzuarve janë administratori i “Albademil”, Mihal Delijorgjin, ksh drejtori i MEICO-s, Ylli Pinari dhe ish-drejtues të lartë të ushtrisë shqiptare.
mit/NOA