Tiranë, 19 nëntor, NOA – Mund të vjedhësh nga pamundësia, por të kryesh edhe vrasje për t’ia arritur qëllimit të vjedhjes, përbën një penalitet tejet të rëndë.
Ka qenë operacioni policor i koduar me emrin “Hijet e natës II”, i cili ka zbardhur tërësisht një vjedhje me armë me pasojë vdekjen e 69– vjeçarit Enver Ferhat Velija, me banim në Tiranë.
Ngjarja kishte ndodhur në 12 nëntor, në një banesë që gjendet në rrugën “Isa Boletini” në Tiranë.
Sipas policisë, 69-vjeçari Velija, ndodhej i vetëm në banesë, kur autori hyri në banesën e tij dhe e goditi me sende të forta shtetasin Enver Velija, vetëm e vetëm për të vjedhur në shtëpinë e tij sende elektroshtëpiake si dhe sende të tjera personale, në banesën e këtij të fundit.
Si rezultat i hetimeve dhe i një pune të mirëorganizuar nga Seksioni Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Lirisë së Personit u arrit identifikimi, kapja dhe dokumentimi ligjor i kësaj ngjarje, ku autori dyshohet të jetë shtetasi Rushit Hatija, 34 vjeç, lindur e banues në Tiranë, i dënuar më parë vjedhje.
Gjatë ecurisë së hetimit, rezultoi se shtetasi Rushit Hatija është edhe autor i dyshuar i disa ngjarjeve të tjera rënda të ndodhura në Tiranë.
Grupi hetimor i posaçëm i ngritur për këtë qëllim po punon për dokumentimin e të gjithë aktivitetit kriminal të këtij shtetasi.
Materialet për konsumim të veprës penale të “Vjedhjes me pasojë vdekjen” ndaj Rushit Hatijës i janë dorëzuar tashmë prokurorisë së Tiranës.
mit/NOA