English

Berisha: I tregova Obamës ç’ofron Shqipëria

Lisbonë, 20 nëntor, NOA - Kryeministri Berisha, i cili ndodhet në samitin e NATO-s në Lisbonë, mori pjesë sot paradite në takimin për Afganistanin të zhvilluar në nivel të kryetarëve të shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të Aleancës, ku pjesëmarrjes në të takim ishin edhe presidenti afgan Hamid Karzai; sekretari i Përgjithshëm i OKB-ve, Ban Ki Moon; presidenti i Këshillit Evropian, Herman Van Rompuy etj.

Berisha, në fjalën e tij, përshëndeti progresin e shënuar gjatë kësaj periudhe në Afganistan dhe vlerësoi se procesi i demokratizimit të këtij vendi është një ndër çështjet më të rëndësishme për tu zgjidhur të kohës sonë, për komunitetin euroatlantik e më gjerë. Duke folur për kontributin e Shqipërisë, ai u shpreh se ajo ka rritur prezencën ushtarake në Afganistan dhe, njëkohësisht, po punon për të zgjeruar këtë kontribut në fushën e arsimit, shëndetësisë, etj.

Ndërkaq, gjatë pjesëmarrjes në punimet e Samitit, kryeministri Berisha është takuar me shumë personalitete, pjesëmarrës në këtë takim, si sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen, presidenti amerikan Barak Obama, kancelarja gjermane Angela Merkel, kryeministri italian Silvio Berluskonin, kryeministri i Belgjikës Yves Leterme, ministri i Jashtëm italian Franco Fratini etj.

Pas pjesëmarrjes në takimin për Afganistanin, kryeministri Berisha dha një prononcim për mediat shqiptare, të pranishme në këtë Samit, ku u shpreh se qëndrimi i Shqipërisë është në mbështetje të plotë të konceptit të ri strategjik, i cili synon të përshtatë NATO-n në përballje të suksesshme me rreziqet e vjetra, rreziqet ekzistuese dhe rreziqet e ardhshme për paqen, stabilitetin në hapësirën e NATO-s dhe në botë.

“Ky koncept parashikon reforma dhe riorganizim të strukturave ushtarake dhe civile të saj, parashikon përqendrim më të madh në rreziqet më kryesore, përcakton terrorizmin, kiberterrorizmin, problemet e energjisë dhe, natyrisht, rrezikun nuklear si një nga rreziqet e mëdha me të cilat Aleanca më e fuqishme e kohërave do mund të përballet”, tha ai.

Franca nuk heq dorë pikërisht nga nukleari. Ju jeni më këtë qëndrim?

Duhet kuptuar se arsenali nuklear francez është njëkohësisht edhe arsenal i Aleancës. Të mos harrojmë se Presidenti Sarkozy ka meritën e madhe të rikthimit të Francës tërësisht në gjirin e Aleancës. Në këtë kontekst, problemet e mbrojtjes anti- raketë sot kanë një zhvillim historik për Aleancën. Kryetari i Federatës Ruse ulet së bashku me kryetarët e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të NATO-s për një partneritet të ri, për një bashkëpunim të ri dhe konkretisht për bashkëpunimin anti-raketë, e cila konsiderohet një nga drejtimet themelore të mbrojtjes së paqes dhe sigurisë.

Zoti Kryeministër është diskutuar për një reduktim të financave që do të jepen për sigurinë. A do ta shikojë Shqipëria buxhetin e saj për mbrojtjen? Dhe sa i përket Afganistanit, a ka një projekt që trupat shqiptarë të tërhiqen para afatit përfundimtar që mendohet të jetë viti 2014?

Së pari Shqipëria nuk do të pakësojë buxhetin e saj për Forcat e Armatosura, sepse ato janë në një proces modernizimi të pandërprerë dhe kjo është e domosdoshme.

Së dyti, Shqipëria nuk tërhiqet nga Afganistani. Atje është së bashku me Aleancën dhe do të qëndrojë atje për sa kohë të jetë nevoja. Përkundrazi, Shqipëria do të shqyrtojë që gjatë viteve që vijnë të mund të rrisë dhe kontributin e saj civil në këtë vend, i cili ka një rëndësi të jashtëzakonshme për paqen, stabilitetin në botë dhe luftën kundër terrorizmit.

Diçka për takimet që keni zhvilluar, sepse pamë që jeni takuar me shumë personalitete, ndër të cilët Merkel, presidenti Obama etj.

Unë u takova këtu me , pothuajse, të gjithë personalitetet më të larta. Pata një bisedë të shkurtër dhe shumë të përzemërt me Presidentin Obama, i cili tregoi interes të veçantë, së pari, për reformat dhe arritjet e tyre në Shqipëri dhe, së dyti, për çfarë ofron Shqipëria dhe cilat janë potencialet e saj energjike, ekonomike dhe turistike. Sepse unë e njoha Presidentin Obama me faktin se Shqipëria nga një vend që nuk ekzistonte në hartën e turizmit botëror këtë vit ka marrë afro 3.5 Milionë turistë. Dhe ai pati vlerësimin më të madh.

Unë u takova me Kancelaren Merkel dhe me të diskutuam problemet e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, si dhe vizitën e saj të ardhshme në Shqipëri.

Me Presidentin Sarkozy diskutuam për vizitën e tij të ardhshme në Shqipëri dhe Presidenti mbetet i vendosur të realizojë këtë vizitë, ashtu sikundër edhe Kancelarja Merkel.

Unë pata një bisedë të shkurtër edhe me Kryeministrin David Cameron, i cili shprehu vlerësimin e madh për pranimin e Shqipërisë dhe rolin e saj në Afganistan.

Një bisedë të gjatë pata dhe me Kryeministrin Zapatero, me të cilin diskutuam për marrëdhëniet midis dy vendeve tona, për perspektivën e këtyre marrëdhënieve, problemet e integrimit të Shqipërisë, etj.

Me mikun tim Silvio Berluskoni diskutuam gjerësisht për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe për marrëdhëniet bilaterale.

Me Kryeministrin e Belgjikës, kryetarin e radhës, që ishte një rast i shkëlqyer për mua dhe unë i shpreha mirënjohje të thellë për mënyrën se si e kurorëzoi me sukses të plotë procesin e liberalizimit të vizave për Shqipërinë. Pata takim me Kryeministrin e Luksemburgut dhe një seri Kryeministrash dhe Presidentësh të vendeve mike. Gjithashtu u takova dhe me Kryeministrin e Çekisë, Presidentin e Polonisë, etj. Pra unë këtu, gjatë gjithë kohës, kam pasur takimet më intensive që krijohen nga këto mjedise tërësisht miqësore dhe shumë të përshtatshme për takime.

Pritet të diskutohet dhe për një reduktim të trupave të NATO-s në Kosovë. Cili do të jetë qëndrimi i Shqipërisë dhe a mendoni se Kosova është e gatshme për këtë vendim?

Unë në fjalën time theksova se Ballkani Perëndimor është akoma një ‘unfinished business’, në kuptimin që është e domosdoshme që të vazhdojë anëtarësimi i vendeve të tjera të rajonit në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Pra politika e dyerve të hapura. Një ‘unfinished business’, sepse është e domosdoshme që Aleanca të proporcionojë trupat e saj, por të mbetet aty si faktor kryesor paqeje dhe stabiliteti. Një ‘unfinished business’, sepse është e domosdoshme që të inkurajohet një dialog midis Prishtinës dhe Beogradit në kuadrin e Rezolutës së fundit të miratuar në unanimitet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, për të cilën Shqipëria është e gatshme të japë të gjithë ndihmesën e vetë në këtë drejtim.

NOA

KOMENTE