Tiranë, 20 nëntor, NOA – Kanë zgjedhur një mënyrë më të thjeshtë për të transportuar hashashin nga Gjirokastra dy banorë të këtij qyteti. Rreh 4 kilogramë hashash i kanë vendosur në një çantë në autobusin e linjës Gjirokastër-Tiranë dhe në këtë mënyrë kanë menduar t’i shpëtojnë vëmendjes së policisë.
Por pas informacioneve të policisë dhe kontrollit të ushtruar mbrëmjen e djeshme në afërsi të Zogut të Zi policia ka arritur të arrestojë dy personat, si dhe të bllokojë drogën.
Bëhet fjalë për Alban Arben Kashau, 20 vjeç, dhe Saimir Drini Kore, 59 vjeç, të lindur dhe banues në Gjirokastër.
Ndalimi i tyre është bërë mbrëmjen e djeshme në sheshin “Rilindja” në kryeqytet, nga Strukturat e Hetimit të Krimit të Policisë së Kryeqytetit, në kuadër të operacionit “Udhëtari”.
Sipas policisë droga e ardhur nga Gjirokastra dyshohet se kishte destinacion për shitje tregun e Tiranës.
a.k/NOA