Për më shumë se gjashtë dhjetëvjeçarë europianët dhe amerikanët kanë qëndruar krah për krah sepse puna jonë së bashku çon përpara interesat tona dhe mbron liritë që ne kemi për zemër si shoqëri demokratike. Teksa ka ndryshuar bota, ashtu ka ndryshuar edhe Aleanca jonë, dhe ne jemi më të fortë, më të sigurt e më të begatë si rezultat i kësaj
Nga Barack Obama
Me samitet e NATO-s dhe SHBA-BE këtë javë në Lisbonë, jam krenar që e kam vizituar Europën gjashtë herë si president. Ky fakt pasqyron një të vërtetë të qëndrueshme të politikës së jashtme amerikane – marrëdhënia jonë me aleatët dhe partnerët tanë europianë është themeli i angazhimit tonë me botën dhe katalizator për bashkëveprim global. Shtetet e Bashkuara nuk kanë me asnjë rajon tjetër një lidhje kaq të ngushtë vlerash, interesash, potencialesh dhe qëllimesh. Me marrëdhënien ekonomike më të madhe në botë, tregtia transatlantike mbështet miliona vende pune në Shtetet e Bashkuara dhe Europë dhe formon një themel të përpjekjeve tona për të mbështetur rimëkëmbjen globale të ekonomisë. Si aleancë kombesh demokratike, NATO siguron mbrojtjen tonë kolektive dhe ndihmon forcimin e demokracive të reja. Europa dhe Shtetet e Bashkuara po punojnë së bashku për parandalimin e përhapjes së armëve bërthamore, promovimin e paqes në Lindjen e Mesme dhe përballjen e ndryshimeve klimaterike. Dhe, siç e kemi parë nga gjendja e sigurisë në Europë kohët e fundit dhe nga komploti i shkatërruar për të shpërthyer eksplozivë në fluturimet transatlantike të mallrave, ne bashkëveprojmë ngushtë çdo ditë për të parandaluar sulme terroriste dhe për t’u garantuar siguri qytetarëve tanë. E thënë thjesht, ne jemi partnerët më të ngushtë për njëri-tjetrin. As Europa dhe as Shtetet e Bashkuara nuk mund të përballen me sfidat e kohëve tona pa njëra-tjetrën. Prandaj këto samite janë mundësi për ta thelluar edhe më tej bashkëpunimin tonë dhe për të siguruar që NATO - aleanca më e sukseshme në historinë e njerëzimit - të mbetet po aq e vlefshme në këtë shekull sa ka qenë shekullin e kaluar. Për këtë arsye ne kemi një program të gjithanshëm në Lisbonë. Së pari, për Afganistanin, ne mund t’i bashkërendisim përpjekjet tona për kalimin në udhëheqjen prej afganëve, ndërkohë që mbajmë një angazhim të qëndrueshëm për popullin afgan. Koalicioni ynë i drejtuar nga NATO në Afganistan përbëhet nga 48 kombe – përfshirë kontributin nga të gjithë 28 aleatët e NATO-s dhe 40,000 trupa nga vende aleate dhe partnere, shërbimin dhe sakrificat e të cilëve gëzojnë nderimin tonë. Përpjekja jonë e bashkëndarë është thelbësore për t’iu mohuar terroristëve strehë të sigurt, ashtu sikurse është e domosdoshme për të përmirësuar jetën e popullit afgan. Me mbërritjen e forcave të tjera të koalicionit gjatë dy viteve të fundit, më në fund ne kemi strategjinë dhe burimet për të prerë hovin e talebanëve, për t’iu mohuar rebelëve fortesat e tyre, për të trajnuar më shumë forca afgane të sigurisë dhe për të ndihmuar popullin afgan. Në Lisbonë ne do të bashkërendojmë përqasjen tonë në mënyrë që të fillojmë kalimin e përgjegjësive në duart afgane në fillim të vitit tjetër dhe për të adoptuar synimin e presidentit Karzai që forcat afgane të marrin drejtimin për garantimin e sigurisë në të gjithë Afganistanin deri në fund të vitit 2014. Dhe, ndërsa tranzicioni i Amerikës dhe reduktimi i trupave do të nisin këtë korrik, NATO – ashtu si Shtetet e Bashkuara – mund të krijojë një partneritet jetëgjatë me Afganistanin për të bërë të qartë se teksa afganët ngrihen dhe marrin drejtimin, ata nuk do të jenë vetëm. Ndërsa bëjmë përpara në Afganistan, edhe vetë NATO do të transformohet në Lisbonë me një Koncept të ri Strategjik që njeh mundësitë dhe partnerët që na duhen për t’u ndeshur me kërcënimet e reja të shekullit të 21-të. Kjo duhet të nisë duke riafirmuar thelbin jetik të kësaj aleance – përkushtimin tonë në Nenin 5 se sulmi mbi njërin është sulm mbi të gjithë. Për të siguruar që ky përkushtim është domethënës, ne duhet të forcojmë gamën e plotë të aftësive që nevojiten për të mbrojtur popullin tonë sot dhe për t’u përgatitur për misionet e së ardhmes. Edhe pse ne po i modernizojmë forcat tona konvencionale, duhet të reformojmë strukturat komanduese të Aleancës për t’i bërë më të efektshme dhe eficente, të investojmë në teknologji të reja që iu japin mundësinë forcave aleate të dislokohen dhe të kryejnë operacione së bashku efektshëm, dhe të zhvillojmë mbrojtje të reja kundër kërcënimeve të tilla si sulmet në internet. Një aftësi tjetër që i nevojitet Aleancës është mbrojtja raketore e territorit të NATO-s, e cila nevojitet për të trajtuar kërcënimin e vërtetë e në rritje nga raketat balistike. Përqasja Përshtatëse me Faza për mbrojtjen europiane raketore që shpalla vitin e kaluar do të ofrojë mbrojtje të fortë dhe të efektshme për territorin dhe popullin e Europës si edhe për forcat e dislokuara amerikane. Për më tepër, kjo formon themelin e bashkëpunimit më të gjerë – me një rol për të gjithë aleatët, mbrojtje për të gjithë aleatetët dhe mundësi për bashkëpunim me Rusinë, e cila gjithashtu kërcënohet nga raketat balistike. Gjithashtu, ne mund të punojmë për të krijuar kushtet për reduktimin e arsenaleve bërthamore e të shkojmë drejt vizionit që përvijova në Pragë vitin e kaluar – një botë pa armë bërthamore. Megjithatë, për sa kohë që këto armë ekzistojnë, NATO duhet të mbetet një aleancë bërthamore, dhe unë e kam bërë të qartë se Shtetet e Bashkuara do të ruajnë arsenal bërthamor të efektshëm, të sigurt e të efektshëm për të penguar cilindo armik dhe për të garantuar mbrojtjen e aleatëve tanë. Së fundmi, në Lisbonë ne mund të vazhdojmë të krijojmë partneritete përtej NATO-s që ndihmojnë për ta bërë aleancën tonë shtyllë të sigurisë globale. Duhet ta mbajmë derën hapur për demokracitë europiane që përmbushin standardet e anëtarësisë në NATO. Duhet të thellojmë bashkëpunimin me organizatat që plotësojnë pikat e forta të NATO-s, të tilla si BE-ja, Kombet e Bashkuara dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë. Me pjesëmarrjen e presidentit Dmitri Medvedev në samitin e Këshillit NATO-Rusi, mund të rifillojmë bashkëpunimin midis NATO-s dhe Rusisë në të mirë të të dyjave. Sepse, ashtu si i kanë rivendosur marrëdhëniet Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, po kështu mund të bëjnë dhe NATO dhe Rusia. Në Lisbonë ne mund të bëjmë të qartë se NATO e sheh Rusinë si partnere jo si kundërshtare. Ne mund të thellojmë bashkëpunimin lidhur me Afganistanin, luftën kundër lëndëve narkotike dhe sfidat e sigurisë të shekullit të 21-të – që nga përhapja e armëve bërthamore deri te përhapja e ekstremizmit të dhunshëm. Dhe duke ecur përpara me bashkëpunimin për mbrojtjen raketore, mund ta shndërrojmë një burim të mëparshëm tensioni në burim bashkëpunimi kundër një kërcënimi të bashkëndarë. Për më shumë se gjashtë dhjetëvjeçarë europianët dhe amerikanët kanë qëndruar krah për krah sepse puna jonë së bashku çon përpara interesat tona dhe mbron liritë që ne kemi për zemër si shoqëri demokratike. Teksa ka ndryshuar bota, ashtu ka ndryshuar edhe Aleanca jonë, dhe ne jemi më të fortë, më të sigurt e më të begatë si rezultat i kësaj. Kjo është detyra jonë në Lisbonë – të rigjallërojmë dhe njëherë Aleancën tonë dhe të garantojë siguri dhe begati për dhjetëvjeçarët që do të vijnë.
*Shkrimi u ofrua nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë