English

Heqja e vizave, sa para duhet të keni me vete kur të lëvizni në BE

Gjithçka ju mund të përballeni në kufi pas heqjes së vizave

Tiranë, 21 Nëntor 2010 Update - Mesa duket vetëm biznesmenët do ta “shijojnë” liberalizimin e vizave dhe jo qytetarët e thjeshtë, pasi do të duhen shumë para të kenë me vete, pasi qytetarët e thjeshtë e sidomos ata të varfër, zor se do të kenë luksin të lëvizin lirisht.

Kjo pasi mediat e huaja po raportojnë se në qoftë se qytetarët shqiptarë dhe boshnjakë nuk kanë fondet e duhura, atyre mund t’u refuzohet kalimi në vendet e zonës Schengen. Qeveria shqiptare ka nisur të informojë qytetarët për liberalizimin e vizave dhe rregullat që shoqërojnë këtë proces.

Dhe kjo fushatë kryesisht televizive, është rrjedhojë e një kërkese që zyrtarët e Bashkimit Europian ia kanë parashtruar shpesh herë qeverisë shqiptare, para dhe pas vendimit që i ndezi dritën jeshile lëvizjes së lirë të shqiptarëve. Edhe pse Qeveria shqiptare ka ndërmarrë fushata informuese për liberalizimin e vizave para dhe pas marrjes së vendimit, ende konstatohet një paqartësi nga ana e qytetarëve.

Nga njëra anë vërehet një dyndje e justifikuar e qytetarëve për t’u pajisur me pasaporta biometrike, nga ana tjetër ka një konfuzion mes tyre sa i përket rregullave që shoqërojnë lëvizjen e lirë.

Mediat kanë publikuar edhe listën e vendeve të zonës Shengen dhe fondet minimale që do t’u kërkohen qytetarëve tanë, raporton Newsit.

Kurse ka gjasa që qytetarët shqiptarë do të jenë në mbikëqyrje të autoriteteve kufitare dhe të emigracionit. Kjo është lista e vendeve të zonës Shengen dhe mjetet monetare të nevojshme që duhet të dispononi për të shkuar në këto vende:

Austria - Prova e fondeve vlerësohet në bazë të rasteve

Belgjika - 38 euro në ditë për qytetarët që vizitojnë familjarë apo miq dhe 50 euro për ata që prenotojnë hotel

Republika Çeke - 0. 5 herë minimumin jetik në ditë, nëse qëndrimi nuk kalon 30 ditë. 15 herë minimumin jetik, nëse qëndrimi i kalon 30 ditë, ndërsa kjo shumë do të rritet dyfish për çdo muaj të qëndrimit. Shuma të reduktuara me 50% për udhëtarët nën moshën 18 vjeç

Danimarkë - 350 DKK (50 euro) për çdo ditë të qëndrimit

Estoni - 600 WK (38.5 euro) për çdo ditë të qëndrimit

Finlandë - 30 euro për çdo ditë të qëndrimit

Francë - 56, 20 euro në ditë, ekuivalente me pagën minimale (SMIC) në baza ditore

Gjermani - 45 euro për çdo ditë qëndrimi

Greqi - 20 euro në ditë me një minimum prej 100 euro. Sasi të zvogëluar me 50% për të miturit, të cilët janë pjesëtarë të familjes së udhëtimit

Hungari - 1000 HUF (3.6 euro) për çdo hyrje

Itali - 1 deri në 5 ditë shumë fikse 269. 60 euro / 6 deri në 10 ditë shuma për ditë 44. 93 euro / 11 deri 20 ditë fikse + shuma ditore për person: 51. 64 euro + 36. 67 euro / 20 ditë fikse + shuma ditore për person: 206. 58 euro + 118. 79 euro

Letonia - 10 LVL (14 euro) në ditë për qytetarët që vizitojnë familjarë apo miq dhe 30 LVL (42. 3 euro) për ata që prenotojnë hotel

Lituania - 40 euro për çdo ditë qëndrimi

Luksemburg - Prova të fondeve vlerësohet në bazë të rasteve

Maltë - 37 euro për çdo ditë të qëndrimit

Poloni - PLN 100 (25. 4 euro) për çdo ditë të qëndrimit

Norvegji - 500 NOK (62 euro) për çdo ditë të qëndrimit me miq apo familjarë

Sllovaki - 3450 SKK (114. 51 euro) për çdo ditë të qëndrimit, shuma ulet 50% për udhëtarë nën 16 vjeç

Slloveni - 70 euro për çdo ditë qëndrimi, shuma ulët 50% për të miturit, të cilët janë pjesëtare të familjes së udhëtimit Spanjë - 57, 06 euro në ditë, me një minimum prej 513. 54 euro për person

Suedi - 360 SEK (38. 67 euro) për çdo ditë të qëndrimit.

Gjithçka ju mund të përballeni në kufi pas heqjes së vizave: Në rastet kur shkelen afatet e qëndrimit ose paraqitet kërkesë për azil, do t’iu refuzohet hyrja në vendet Schengen nga 3 deri në 5 vjet

Nëse kryeni vepra penale do t’ju ndalohet hyrja përgjithnjë

Do t’u refuzohet hyrja nëse bileta e avionit/autobusit/tragetit nuk është me rikthim.

Duke marrë në konsideratë nivelin e jetesës së shqiptarëve dhe të ardhurat mesatare mujore të tyre, por edhe faktin që remitancat (dërgesat e emigrantëve) janë ulur ndjeshëm këto dy vitet e fundit, mund të themi se për një pjesë të mirë të shqiptarëve lëvizja drejt Shengenit do të mbetet luks.

KOMENTE