{youtube}HQHI5KKLuZs{/youtube}
Tiranë, 21 Nëntor 2010 NOA/ Rid Bulku - Festivalin e sivjetshëm muzikor “Kënga magjike 2010” e ka fituar kënga “Sa e shite zemrën” e interpretuar nga Juliana Pasha dhe Luzi Ejlli.
Vendin e dytë e ka fituar këngëtari Pirro Çako, kurse në vend të tretë sërish një duet, Rozana Radi dhe Ramadan Krasniqi.
Për Pirro Çakon ishte një fitore e dyfishtë pasi ai ishte dhe kompozitori i këngës fituese.
Si asnjëherë tjetër më parë, votimi i këngëtarëve për njëri-tjetrin u bë publik, i hapur dhe të gjithë mes tyre, mësuan se sa vota kishte dhënë gjithsecili.
Festivali u drejtua nga producenti i tij Ardit Gjebrea dhe tre vajza të huaja.
Dy netët pararendëse të “Këngës Magjike”, nuk ishin vetëm një garë këngësh e artistësh të muzikës shqiptare, por edhe një festival i denjë e konkurrues me ato qe shohim në të gjitha skenat ndërkombëtare.
Në skenë u ngjitën këngëtarë të afirmuar nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Ajo që ra në sy ishin performancat e tyre të kuruara ne detaje.
Elementët artistikë, si koreografia e kostumet ishin gjithashtu pjesë të rëndësishme të mozaikut perfekt të Këngës Magjike. Një zgjedhje e veçantë ishte ajo e këngëtares Eranda Libohova e cila interpretoi e veshur me një kostum tradicional të zonës së Zadrimës.
Mes finales së madhe, nata e dytë e Këngës Magjike ka qenë edhe më emocionuese, si për publikun, por edhe për vetë artistët. Pas përfundimit të natës së dytë, këngëtarët janë njohur me 10 finalistët.
Ndërsa sonte, në finalen e madhe, vetë artistët shpallën votimet për këngën më të mirë të këtij edicioni.