Në këto vitet e pasluftës kemi pasur pafund përleshje, rrahje e madje edhe plagosje e vrasje të politikanëve e militantëve partiakë. Krerët e partive e kanë përçarë popullin dhe i kanë ndërsyer njerëzit kundër njëri-tjetrit. Në fund, vetë ata krerë kanë lidhur koalicione ndërmjet partive të tyre për hir të interesave vetjake karrieriste e financiare. Njerëzit e thjeshtë kanë mbetur të pikëlluar pa më të dashurit e tyre ose të dëshpëruar në burg ndërkohë që janë të detyruar t’i shikojnë idhujt e tyre partiakë tek qeshen bashkë para kamerave televizive.
*Nga Albin Kurti
Më interesonte të merrja vesh arsyen e kalimit të anëtarit B. nga partia politike ku kishte qenë në Lëvizjen tonë. Kisha dëgjuar për të, nuk e njihja, por u bëra kureshtar mbase pa ndonjë arsye fort të qartë fillimisht. E zhvilluam një takim, e pashë që nuk dallonim për nga botëkuptimi e qëndrimet politike, i besova për ato që fliste, dhe nuk u habita kur pa hezitim më tha që iu kishte mbushur kupa duke duruar për vite me radhë. Ajo filan partia, më tha, nuk ishte vend ku mund t’i shfaqësh mendimet e tua dhe të bashkohesh në veprim me të tjerët por ishte bërë vend ku mendimi tashmë ishte punë e kryer dhe ku duhet të durosh veprimet e të tjerëve mbi ty. Kjo sigurisht që ishte e vërtetë por jo edhe e vërteta e tij. Ai nuk kishte ardhur në VETËVENDOSJE! pse iu kishte mbushur kupa por pse iu kishte zbrazur ajo. Kureshtja ime filloi të vetësqarohej. Ajo konsistonte pikërisht në rrëfimin e munguar për atë pikën që zbraz kupën e mbushur përplot, për atë pikën që retro-aktivisht bëhet më cilësore se të tjerat. Sërish nuk ngurroi aspak dhe filloi ta tregonte tregimin e fundit. Ky ish anëtari B. i partisë, kohë më parë, kishte hetuar një ndërmarrje korruptive në pushtetin komunal dhe pasi kishte mbledhur faktet e kishte denoncuar një zyrtar të korruptuar komune që kishte rastisur të jetë i një partie tjetër. Kishte pritur disa ditë që kjo çështje të trajtohej dhe zyrtari i korruptuar të përjashtohej nga puna e të nisnin procedurat gjyqësore kundër tij. Më në fund, e kishte thirrur kryetari i komunës dhe, për çudi të tij, e kishte kërcënuar vetë denoncuesin B. me përjashtim nga puna! Dy ditë më vonë e kishte marrur në telefon edhe shefi i madh i partisë dhe ia kishte përsëritur atë që ia ka thënë kryetari i komunës: mbylle gojën ose të hodhëm në rrugë me gjithë familje! Në këtë pikë, denoncuesi i mirë B., sipas fjalëve të tij, e kishte kuptuar që në Kosovë nuk ka vetëm struktura paralele serbe por edhe struktura paralele shqiptare. Ishte vetëdijësuar që prapa zënkave televizive midis partive hidhet vallja e përbashkët e tyre e korrupsionit.
Në këto vitet e pasluftës kemi pasur pafund përleshje, rrahje e madje edhe plagosje e vrasje të politikanëve e militantëve partiakë. Krerët e partive e kanë përçarë popullin dhe i kanë ndërsyer njerëzit kundër njëri-tjetrit. Në fund, vetë ata krerë kanë lidhur koalicione ndërmjet partive të tyre për hir të interesave vetjake karrieriste e financiare. Njerëzit e thjeshtë kanë mbetur të pikëlluar pa më të dashurit e tyre ose të dëshpëruar në burg ndërkohë që janë të detyruar t’i shikojnë idhujt e tyre partiakë tek qeshen bashkë para kamerave televizive. Gjithçka i ngjan një shfaqjeje teatri ku shikuesit nuk e kanë ditur që bëhej fjalë veçse për një shfaqje teatri, nuk e kanë ditur se ajo që po shihnin ishte dramë me role e skenar të përcaktuar që më parë. Shikuesit janë grindur e rrahur varësisht lojaliteteve të posaçme ndaj aktorëve në skenë të cilët nuk po grindeshin e rriheshin me të vërtetë. Në fund të shfaqjes kemi shikues të përgjakur dhe aktorë gazmorë që zhveshin kostumet e tyre dhe dalin e pinë kafe bashkë pas rënies së perdes.
Secili prej akronimeve të partive politike që hynë e dolën nga qeverisjet e pasluftës defilon ndaras e veçmas. Nganjëherë edhe çiken lehtas me njëri-tjetrin ashtu plot nur e hir në këtë sfilatë që i dedikohet popullit spektator. Mirëpo, sfilata e diferencave nominale në të vërtetë maskon vallen e përbashkët financiare. Duken parti të ndryshme me qëllim që të duken të ndryshme. Ajo që shohim është maska për atë që nuk duhet ta shohim. Strukturat informale politike janë financiare dhe kriminale, të bashkuara përtej ndarjeve formale ndërmjet partive politike. Ato nuk shihen hapur mu për shkak të partive politike që duken për të mos u dukur në thelbin e tyre. Emrat e partive dhe fytyrat e ndryshme të njerëzve të partive janë paravan për unitetin e këtyre strukturave informale që paraqesin të vërtetën e sistemit politik në Kosovë. Ato e kanë funksionin e fragmentimit të lustrës sipër substancës së njëjtë. Kjo lustër e fragmentuar është substanca e pluralizmit politik në Kosovë. Politikanët e establishmentit njëmend janë të ndarë, mirëpo kjo ndarje e tyre shërben për ta pasur politikën e establishmentit të bashkuar dhe, në anën tjetër, për ta pasur popullin sa më të përçarë përfundi vetes.
Gjithsesi, ne nuk kemi nevojë për parti që përçajnë shoqërinë e popullin ndërsa unifikojnë establishmentin. Kosovës i nevojitet lëvizja e qytetarëve të saj që i bashkon ata për ndryshime thelbësore kundër këtij establishmenti i cili e do unitetin e vetes dhe përçarjen e popullit.
*Lideri i Lëvizjes “Vetëvendosje”