English

Presidenti Topi niset për në Itali, do marrë “Çmimin Ndërkombëtar të Paqes”

Tiranë, 20 Nëntor, NOA – Presidenti i Republikës, Bamir Topi u nis sot për një vizitë pune treditore në Itali, me rastin e “Ditës së 28-të Ndërkombëtare të Paqes, Kulturës dhe Solidaritetit”, e cila zhvillohet në kujdesin e institucioneve të Republikës italiane.

Në këtë veprimtari, kryetari i shtetit është i ftuari i nderit i Qendrës së Studimeve “Xhuzepe Donati” në Pistoja, e cila, në një ceremoni solemne, do t’i dorëzojë presidentit Topi “Çmimin Ndërkombëtar të Paqes”.

Fjalën e hapjes së kësaj ceremonie do e mbajë zëvendëspresidenti i Senatit italian, Vanino Kiti, me të cilin Topi pritet të ketë një takim.

Por në kuadër të vizitës në shtetin fqinj, Presidenti i Republikës do të ketë takime të veçanta pune dhe me kryetarët e bashkisë së qyteteve të Pratos, Roberto Çeni; të Pistojas, Renco Berti; po ashtu me përfaqësues të komunitetit shqiptar atje, si dhe me presidentin e rajonit të Toskanës, Enriko Rosi.

Gjatë kësaj vizite në vendin fqinj, Presidenti Topi do të pritet nga kryetari i bashkisë së qytetit të Androdokos, Mauricio Faina.

Në praninë e tij dhe të përfaqësuesve të tjerë vendorë, kryetari i shtetit, në shenjë respekti dhe përkujtimi do të vizitojë muzeun që mban emrin e nderuar të piktorit të madh shqiptar, Lin Delija.

n.e/NOA

KOMENTE