Strugë, 20 nëntor 2010 NOA/ Albert Zholi - Është tepër paradoksale se çfarë vendimesh sjell Ministria e Arsimit dhe titullari i saj Nikolla Todorov, në Maqedoni siç e njohim apo FYROM, siç është emri i saj zyrtar që njihet.
Nga njëra anë Todorov këmbëngul që nxënësit shqiptarë të mësojnë maqedonishten nga klasa e parë, ndërsa nga ana tjetër nuk lejon që shqiptarët nga fshati Podgoricë i Strugës, të mësojnë në gjuhën amtare-shqipe.
Para më shumë se një viti, Këshilli i komunës ka sjellë vendim për hapjen e paraleleve me mësim në gjuhën shqipe në shkollën fillorë “Goce Dellçev”, miratuar përmes shkresës që komuna e Strugës ka marrë nga Ministria e arsimit
Sipas shkresës së dërguar në selinë e administratës komunale në Strugë, Ministria e arsimit, përmes shkresës së nënshkruar nga sekretarja shtetërore e Ministrisë së arsimit dhe shkencës, Elizabeta Todorovska, jep “dritë jeshile”, duke shtruar edhe kushte, të cilat duhet të përmbushë autoriteti lokal-Këshilli dhe komuna e Strugës.
Në shkresën e Ministrisë së arsimit shkruan: “Lidhur me kërkesën tuaj nr.03-1341, datë 28.10.2009, për të dhënë mendim pozitiv për formimin e paraleles me numër më të vogël të nxënësve në shkollën fillore “Goce Dellçev” në fshatin Podgorcë, Ministria e arsimit dhe shkencës ju informon se sipas kërkesës së Këshillit të komunës, do të japë mendim pozitiv nëse: nuk nevojiten mjete plotësuese financiare, ose, nëse komuna këto mjete plotësuese financiare do t’i sigurojë nga buxheti komunal”.
Mirëpo, nga drejtori i shkollës, inspektorati arsimor dhe nga Ministria e arsimit, nxënësve që vijojnë mësimin në gjuhën shqipe nuk ua pranojnë vijim në shkollë dhe ndaj prindërve të tyre është ngritur procedurë gjyqësore.
Jam një nga prindërit e fëmijëve që vijojnë mësimin në gjuhën shqipe në Podgoricë dhe kjo është hera e dytë që ngrihet padi pranë Gjykatës Themelore në Strugë nga ana e inspektorit të arsimit dhe me uratën e ministrit të arsimit.
Një herë ishim në gjyq ku u mbajt vetëm një seancë, ndërsa tani sërish kemi padi dhe Gjykata ka caktuar seancën për datën 22 nëntor, ndaj nuk di se çfarë do të ndodhë. Fëmijët tanë që vijojnë mësimin në gjuhën shqipe e jo në gjuhën maqedonase, trajtohen dhe konsiderohen sikur fare nuk vijojnë mësimin.
Ne si prindër kemi bërë kërkesë për hapjen e këtyre paraleleve dhe ato i kemi adresuar deri tek ministri dhe kryetari i komunës e Këshilli si themelues i shkollave dhe nga Këshilli dhe komuna kemi marrë përgjigje pozitive, ndërsa nga ministri nuk kemi kurrfarë përgjigje.
Kemi pasur një përgjigje nga zëvendësministrja e arsimit, Lindita Qazimi, por fatkeqësisht, pas dy ditëve ministri Nikolla Todorov e ka shfuqizuar dhe tërhequr këtë vendim. Fëmijët tanë kanë mbaruar klasën e parë dhe të dytë, por nga ana e drejtorit nuk kanë marrë asnjë dëftesë.
Nga bisedat e zhvilluara me zëvendësministren Lindita Qazimi jemi në dijeni se ministri është informuar nga zëvendësja e tij, por ai nuk deklarohet. Ne kemi shprehë dëshirë që të ftojmë ambasadorin e Shqipërisë në Maqedoni, Arben Çejkun që të vizitojë fshatin tonë dhe të njihet me situatën, ngjashëm me intervenimet që bëjnë maqedonasit në Shqipëri për mësimin e gjuhës maqedonase.
Arsimtaret që punojnë në këtë shkollë janë me përgatitje të lartë profesionale, ndërsa nuk janë në listën e pagave nga Ministria e arsimit, por janë në listën e buxhetit komunal.
Prindërit e fëmijëve që kanë filluar vijimin e mësimit në gjuhën shqipe, vazhdimisht janë kërcënuar e frikësuar nga ana e drejtorit dhe inspektorit të arsimit, se pos tjerash ata do të gjobiten me gjoba të larta për këtë këmbëngulje..
Për këtë problem e kemi informuar edhe avokatin e Popullit i cili mbështet të drejtën për shkollim në gjuhën që e kemi zgjedhur- u shprehën Fadil Rexhoski dhe Sead Sadikoski.
Gjorgji Arsov, drejtor i Inspektoratit shtetëror të arsimit, lidhur me këtë problem është shprehur: “Prindërit i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë e cila nuk ekziston, që nuk është e verifikuar, që nuk ka pëlqim, që në fakt është e jashtëligjshme -e egër. Dmth. nuk është në pyetje fakti që mësimi ndiqet në gjuhën shqipe. Problemi është se ajo shkollë fillore nuk mund të funksionojë pa qenë e përfshirë në sistemin arsimor. Duhet mendim pozitiv nga Ministria e Arsimit, ndërsa ajo nuk e posedon një gjë të tillë. Të vetmin pëlqim që e posedon është ai që e ka nga këshilli komunal, por ai është i pamjaftueshëm.
Seanca gjyqësorë ndaj këtyre prindërve të fëmijëve që mësojnë në gjuhën shqipe në Podgoricë, do të mbahet ditën e hënë më 22 nëntor, në Gjykatën Themelore në Strugë.
a.zh/NOA