English

Qetësia e dukshme dhe kërcënimet që përballet NATO

Aktualisht, NATO-ja ballafaqohet me ambient sigurie si asnjëherë në historinë e saj. Kërcënimi i një konflikti të madh konvencional në Evropë – shqetësim për të cilin NATO-ja është themeluar – praktikisht është zhdukur

Nga Ivo Daalder

Kur 28 vendet aleate të takohen sot në Lisbonë, një nga çështjet më të rëndësishme në agjendë do të jetë shqyrtimi i rrezikut real dhe në rritje në rajonin trans-atlantik: përhapja e armëve për shkatërrim në masë dhe mjetet e shpërndarjes.

Aktualisht, NATO-ja ballafaqohet me ambient sigurie si asnjëherë në historinë e saj. Kërcënimi i një konflikti të madh konvencional në Evropë – shqetësim për të cilin NATO-ja është themeluar – praktikisht është zhdukur. Agjenda e viteve të 90-ta, që kishte të bënte me shtrirjen e parimeve të demokracisë, lirive individuale dhe sundimit të ligjit në gjithë Evropën, është larg realizimit përfundimtar, por është në rrugë të drejtë. Tash, forcat e globalizimit kanë sjellë sfida të reja sigurie për hapësirën veri-atlantike. Më akut është kërcënimi me armët për shkatërrim në masë përmes raketave balistike. Sistemet e raketave balistike janë duke u bërë me fleksibile, mobile dhe më të sakta. Shtrirja e tyre është duke u shtuar, duke vënë popullatën dhe territorin e rajonit të Atlantikut në rrezik të shtuar. Njëkohësisht, disa shtete janë duke çuar përpara projektet e disponimit të kokave bërthamore, kimike dhe biologjike. Diplomacia paraqet vijën e parë të mbrojtjes nga këto rreziqe, por ajo nuk mjafton. Ajo duhet të plotësohet nga kapacitetet te besueshme dhe të kushtueshme, në mbrojtje nga raketat balistike. Shi për këtë, Shtetet e Bashkuara kanë propozuar që në Lisbonë, liderët e Aleancës të miratojnë mburojën raketore territoriale si kapacitet i NATO-s. Mbrojtja territoriale raketore e NATO-s nuk është një projekt, i cili do të fillojë nga zeroja. Aleanca ka tashmë një program, për mbrojtjen e forcave të stacionuara. Ne synojmë që të zgjerojmë këtë mbrojtje edhe tek popullata dhe territoret e Evropës. Aq më tepër, SHBA-ja është në rrugë e sipër që të ofrojë pjesën më të madhe të këtyre kapaciteteve. Kontributi ynë, i quajtur Qasja Doptive në Faza, do të eksploatojë përparësitë e teknologjisë së sensorëve dhe të interceptorëve, për të stacionuar një mbrojtje të fuqishme dhe të mençur raketore. Në thelb të këtij sistemi janë raketat SM-3, sisteme të dëshmuara që vendosen në anije, të cilat gjithashtu do të stacionohen edhe në tokë, në bazat në Rumani (deri në vitin 2015), e më pas edhe në Poloni (deri në vitin 2018), duke ofruar kështu mbrojtje të plotë nga kërcënimet e mundshme raketore. Këto kapacitete amerikane do të jenë kontribut për sistemin e mbrojtjes raketore të NATO-s. Sistemi i NATO-s, i quajtur ALTBMD, do të gërshetojë sensorët dhe interceptorët kombëtarë, në një tërësi koherente dhe të qëndrueshme. Komponenti kryesor është rrjeti i standardizuar për shkëmbimin e informatave, i cili do t’i lejojë sistemit për vërejtje të hershme të një aleati që të arrijë deri te sistemi i aleatit tjetër, duke krijuar një sistem më të aftë dhe më të shtresuar për mbrojtje. Zgjerimi i këtij sistemi, në mënyrë që aleatët të jenë në gjendje që të mbrojnë popullatat dhe territoret e tyre nga sulmet me raketa, është një ndërmarrje e mundshme-më pak se 200 milionë euro gjatë 10 viteve të ardhshme. Për një aleat mesatar, harxhimet janë të barabarta me më pak se një gjysmë tanku gjatë vitit. Po sa të jetë plotësisht operacional, ky kapacitet do të mbrojë 28 aleatët dhe mund të ofrojë siguri edhe për shtetet tjera-përfshirë këtu edhe partnerët e NATO-s, si Rusia. Për këtë arsye, sistemi ofron një mundësi për tu angazhuar me partnerët tonë rusë-të cilët gjithashtu janë të rrezikuar nga zgjerimi i raketave balistike-nëpërmjet një programi substancial kooperativ të mbrojtjes raketore. Angazhimi i tillë duhet të zbehë brengat që mund të ketë Rusia për mbrojtjen territoriale raketore të NATO-s, e gjithashtu mund të përmirësojë edhe kapacitetet anti-raketore të vetë Rusisë. Në Lisbonë, udhëheqësit përballen me shumë vendime të rëndësishme në lidhje me rolin e NATO-s në fushën e sigurisë globale. Ata do të mbështetën në vlerat ekzistuese të NATO-s dhe përkushtimit të përbashkët, për ta “rifreskuar” NATO-n për epokën moderne. Një vendim i tillë është se a duhet të adoptohet mbrojtja territoriale raketore, si një kapacitet i NATO-së. Duke pasur parasysh rrezikun reale dhe në rritje nga raketat balistike dhe duke pasur parasysh se sistemi ALTBMD është një ndërmarrje e mundshme, është e qartë se sa i përket mbrojtjes territoriale raketore, aleatët duhet t’i thonë “po” asaj. Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, NATO nuk duhet që të heqë dore prej këtij projekti, i cili do t’i mbronte vendet e tjera p.sh., prej sulmeve nga Irani. “Unë pres prej takimit që të merret një vendim për mbrojtjen ndaj raketave. Kjo do të ishte një shenjë shumë e dukshme, se ne jemi të gatshëm që edhe në kohë kursimesh t’i përmirësojmë aftësitë tona mbrojtëse”, nënvizoi Rasmussen.

KOMENTE