Tiranë, 20 nëntor, NOA – Deputetja Albana Vokshi ka reaguar pas lajmit të publikuar në mediat e Tiranës dhe ato të Prishtinës për incidentin e ndodhur me disa punonjës të policisë së Kosovës. Ajo shprehet se autoritetet kanë shkelur ligjin dhe se për këtë çështje u është drejtuar institucioneve përkatëse të Prishtinës.
“Nuk k është e vërtetë se kam thyer rregullat dhe procedurat e policisë kufitare kosovare; nuk është e vërtetë që kam refuzuar kontroll të dokumenteve apo të makinës me të cilën udhëtoja; e mbi të gjitha nuk është e vërtetë që kam fyer cilindo zyrtar të policisë kufitare kosovare”, thotë Vokshi.
Më poshtë lexoni të plotë reagimin e deputetes së PD-së, Albana Vokshi.
“Në lidhje me ngjarjen e shumëpërfolur ditët e fundit në mediat shqiptare e kosovare, ju bëj me dije se ditën e diel, më 14 nëntor, po udhëtoja për në Kosovë për një vizitë të shkurtër jo zyrtare me motrën dhe dy mikeshat e mia, me dëshirën dhe mallin për vendin e origjinës së prindërve të mi.
Është e vërtetë që në kufirin me Kosovën, në Vërmicë, ka ndodhur një incident shumë i rëndë me policinë kufitare kosovare. Disa autoritete kosovare, të policisë dhe gjyqësorit, kanë abuzuar dhe tejkaluar kompetencat e tyre, duke thyer ligjet e duke mos respektuar asnjë të drejtë elementare themelore njerëzore ndaj meje, jo si deputete, por si femër dhe si qytetare shqiptare.
Për këtë ngjarje të shëmtuar, kam vënë në dijeni kryeministrin e vendit, kryetaren e Parlamentit, ministrin e Brendshëm, ministrin e Drejtësisë, ministrin e Punëve të Jashtme, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Kam kërkuar që kjo ngjarje të zbardhet deri në detaje, të zbulohen e të kërkojnë të vihen para drejtësisë si ata që e planifikuan, ashtu edhe ata që e ekzekutuan këtë incident. Meqë kjo ngjarje, ndërmjet të tjerash, po sqarohet në nivel ndërqeveritar, do të preferoja që për momentin të mos jap më shumë sqarime, në respekt të konfidencialitetit të procedurave të nisura.
Vendosa të thyej heshtjen time duke bërë këtë deklaratë para publikut shqiptar dhe atij kosovar, për shkak se ndjej detyrimin madhor për ta sqaruar pavërtetësinë e thënieve abuzive të ditëve të fundit në media te ndryshme.
Deklaroj para publikut shqiptar dhe kosovar që nuk është e vërtetë se kam thyer rregullat dhe procedurat e policisë kufitare kosovare; nuk është e vërtetë që kam refuzuar kontroll të dokumenteve apo të makinës me të cilën udhëtoja; e mbi të gjitha nuk është e vërtetë që kam fyer cilindo zyrtar të policisë kufitare kosovare.
Kjo është arsyeja që më jep kurajën që të kërkoj zbardhjen e të gjitha shkaqeve, rrethanave, që çuan në këtë incident të paprecedent, si dhe vënien para drejtësisë shqiptare apo kosovare të hartuesve dhe ekzekutuesve të incidentit famëkeq”.
a.k/NOA