Tiranë, 21 nëntor, NOA – Pjesëmarrja për të parën herë e Shqipërisë si një vend anëtar me të drejta të barabarta në samitin e NATO-s në Lisbonë, që mbylli punimet dje, në kryeqendrën e Portugalisë, është një nga dëshmitë më të rëndësishme, të kontributit të Shqipërisë në ruajtjen e sigurisë dhe paqes në botë.
Kështu e ka vlerësuar pjesëmarrjen e tij në këtë samit, kryeministri Sali Berisha i cili në konferencën e sotme për shtyp pak orë pas kthimit nga Lisbona, tha se “Shqipëria u ngjit si vend anëtar i NATO-s, në këtë samit”.
Ai e cilësoi këtë samit si një samit historik për shqiptarët, sa ç’ishte edhe për vendet anëtare, pikërisht për arsyen specifike, se ishte i pari samit, ku Shqipëria ulej për të parën herë në tryezën e NATO-s, si vend anëtar më të drejta të plota dhe të barabarta, si vend me një kontribut të vlerësuar nga aleatët e NATO-s.
Kryeministri Berisha informoi se gjatë fjalës së tij përballë krerëve të shteteve anëtare të NATO-s, shprehu mbështetjen e plote për konceptin e ri strategjik, vendosmërinë e Shqipërisë në mënyrë, që forcat e ushtrisë shqiptare të përgjigjen aty ku të jetë e nevojshme.
“Informova samitin se ndonëse anëtari më ri i aleancës, Shqipëria ka një nga përqindjet më të larta në njësitë e armatosura në të gjitha rolet, u angazhova se qeveria do të zgjerojë më tepër pjesëmarrjen sikundër do të kontribuojë në rindërtimin e Afganistanit dhe në fushën e Arsimit”, shtoi kryeministri.
Shefi i ekzekutivit bëri me dije se gjatë samitit krerët shprehën vlerësimin e tyre edhe për Kosovën.
“Aleanca, tha kryeministri Berisha, shprehu vendosmërinë e vet për të qenë në Kosovë si shtyllë stabiliteti”.
Gjithashtu Berisha tha se vendet anëtare të NATO-s vlerësuan forcat e sigurisë dhe rendit të Kosovës, konsolidimin dhe kontributin e tyre në Kosovë, duke garantuar rishtas se Aleanca e NATO-s i ka dyert e hapura për anëtarësime të reja.
Në këtë kontekst, Berisha siguroi se qeveria do të kontribuojë në bisedimet e pritshme shqiptaro-serbe, për shkrimin sipas tij, të historisë së re të marrëdhënieve mes dy vendeve të ballkanit, Serbisë dhe shtetit të ri të Kosovës.
Kryeministri Sali Berisha e vlerësoi samitin e NATO-s ëdhe si një rast të shkëlqyer sikundër tha ai, për tu takuar me kryetarët e delegacioneve të vendeve anëtare, samit gjatë të cilit delegacioni shqiptar kryesohej nga ai vetë.
mit/NOA