Preshevë, 21 nëntor, NOA - Me shfaqjen "Ah veshkat e mia", ka filluar festivali tradicional “Ditët e komedisë shqiptare Presheva 2010”. Ky eveniment kulturor organizohet nën drejtimin e Shtëpisë së Kulturës “Abdulla Krashnica’, në Preshevë.
Drejtori, Naser Nuredini, i cili bëri hapjen solemne të këtij festivali, theksoi se ky festival ndihmohet financiarisht nga pushteti lokal i Preshevës, Ministria e Kulturës e Republikës së Serbisë dhe nga burimet e shtëpisë së kulturës.
Sipas Nuredinit realizimi i projektit ndihmohet edhe nga sponsorët e rregullt të festivalit si: Ndërmarrja private “Saba Bellca”, “Arso Kom” dhe “Fluidi”, nga Presheva.
Në mbrëmjen e parë të këtij festivali kanë prezantuar aktorët e Teatrit “Adriana” nga Ferizaji me komedinë “Ah veshkat e mia”, autor Babis Cikrilopulos dhe në regji të Ben Apollonit.
Sipas dramaturgut, Selajdin Salihu, njëherësh dhe udhëheqës i tryezës së festivalit, regjisori në këtë shfaqje të ketë shprehur temën e varfërisë e cila në fokusin e vetë ka paraqitur njerëzit e margjinave që u ka humbur gjithçka.
Në komedinë “Ah veshkat e mia”, shton më tej Salihu, përmes lojës së aktorëve, krimet bëhen në emër të humanizmit, mirëpo njerëzit i bashkon vetëm dashuria shpirtërore.
Kjo komedi është vlerësuar si shfaqje shumë realiste me tekst atraktiv që komunikon me sistemin kulturorë shqiptar, e cila ka arritur të përcjellë mesazhet deri tek publiku. Ndërsa, profesor, Nebi Islami, dramaturg në tryezën e festivalit pas shfaqjes ka deklaruar se komedia “Ah veshkat e mia” ishte një komedi jashtëzakonisht e fuqishme ku aktorët me lojën e tyre në skenë ëndërrojnë ëndrrat njerëzore që i kanë edhe synimet e tyre duke kërkuar çdoherë sakrifice.
Islami ka vënë në pah edhe përkushtimin e regjisorit të shfaqjes, i cili ka paraqitur tensionin dhe zgjidhjen e problemit.
Në vazhdën e festivalit tradicional “Ditët e komedisë shqiptare Presheva 2010”, do të shfaqet komedia Maturantët në regji të Faik Gashit, ku do të luajnë aktorët e tetarit “Dodona”, nga Prishtina.
NOA