Dublin, 21 nëntor, NOA - Ministri irlandez i Ekonomisë, Brajan Lenihan deklaroi sot se do t’i propozojë qeverisë së vendit të tij, që Dublini të kërkojë zyrtarisht ndihmën e Bashkimit Evropian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, për të kapërcyer vështirësitë në sistemin bankar.
Ndonëse nuk dha një shifër të saktë të ndihmës, që Irlanda do të kërkojë nga BE dhe FMN, Lehinan la të nënkuptohet se bëhet fjalë për një shumë, që mund t’i kalojë dhjetra miliardë euro.
Ekspertë të Bashkimit Evropian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar po diskutojnë që prej së enjtes në Dublin lidhur me detajet teknike të ndihmës, që do të marrë qeveria irlandeze.
Ministri irlandez i Ekonomisë tha se është e rëndësishme, që Irlanda të vazhdojë investimet, të ruhet stabiliteti i ekonomisë, të ulet risku i borxhit si dhe të stabilizohet sistemi bankar.
Sipas tij ndihma që llogaritet në miliarda euro, nuk ka një destinacion të caktuar, por më shumë do të shërbejë si garanci për sistemin bankar, i cili u detyrua të marrë kredi marramendëse nga Banka Qendrore Europiane, për të zbatuar një politikë të dështuar të kreditimit të banesave.
mit/NOA