Shkodër, 21 nëntor, NOA – Policia e Shkodrës dhe forcat RENEA kanë arritur të arrestojnë një person që kërkohej prej 10 vitesh nga organet e drejtësisë. Bëhet fjalë për 51-vjeçarin Gjovalin Shuk Kola, lindur e banues në fshatin Nënshat, komuna Hajmel, e rrethit të Shkodrës.
Në vitin 2000, Kola ka vrarë me armë zjarri, për motive të dobëta, bashkëfshatarin e tij shtetasin Pashuk Tukaj dhe plagosi dy persona të tjerë të së njëjtës familje Zef T. dhe Zina T.
Pas dy muajsh hetime policia kish arritur të identifikonte vendin e saktë të qëndrimit të Kolës. Pasi është gjetur banesa policia i ka bërë thirrje për dorëzim 51-vjeçarit.
Por Kola është kundërpërgjigjur me armë zjarri duke vënë në rrezik jetën e forcave policore.
Për rreth një orë forcat RENEA dhe policia e Shkodrës ka arritur të neutralizojë dhe të kap 51-vjeçarin.
Kolës ju gjet një armë zjarri automatik si dhe një sasi municioni. Gjovalin Kola është dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësorë Shkodër, në vitin 2007, për veprat penale të “Vrasje me dashje”, “Plagosje e rëndë me dashje” dhe “Prodhim e mbajtje pa leje te armëve luftarake”.
a.k/NOA