English

Korrupsioni, shteti dhe identiteti kombëtar

Korrupsioni është produkt i drejtpërdrejtë i sistemit politik të tanishëm, i cili nuk përçon vlera shqiptare, por interesat e elitave për pushtet dhe pasurim të shpejtë. Megjithë disa zhvillime pozitive, ky sistem vazhdon të prodhojë ngërç, amulli politike dhe paqëndrueshmëri

Nga Grid Rroji

Korrupsioni është një dukuri, i cili është i lidhur ngushtë me funksionimin e shtetit. Një shtet funksional dhe i konsoliduar ka shumë më tepër mjete për të luftuar dukuritë korruptive dhe për të minimizuar efektet negative të korrupsionit për shoqërinë. Pra, një shtet i konsoliduar dhe legjitim, është e vetmja rrugëdalje nga qerthulli korruptiv. Por, siç provojnë statistikat, në gjendjen aktuale shteti shqiptar është strukturalisht tepër i dobët për të luftuar korrupsionin. Akuzat e ndërsjella për korrupsion të palëve politike në Shqipëri, tregojnë jo vetëm që korrupsioni mbetet problem themelor i demokracisë shqiptare, por edhe që zgjidhja e problemit mbetet në qendër të vëmendjes së qytetarëve. Megjithë disa suksese të viteve të fundit, vazhdimësia e dukurive korruptive të qeverisjes, si ndër qeveri të djathta, ashtu edhe në të majta, të çon në përfundimin se për sa i përket korrupsionit, aktorët në sistem nuk dallohen dot nga ideologjia. Për rrjedhojë, duke qenë se sistemi favorizon korruptimin e pushtetarëve, zgjidhja e problemit nuk mund të vijë nga vullnete individuale të udhëheqësve partiakë, apo duke ndërmarrë veprime me efekte të përkohshme. Në skenën publike shqiptare janë shtjelluar disa rryma mendimi, të cilat synojnë të shpjegojnë ndërthurjen midis korrupsionit dhe mosfunksionimit të shtetit. Ndërkombëtaristët fajësojnë politikën shqiptare, e cila nuk është e emancipuar me vlerat demokratike perëndimore, por mbetet peng i mendësive klanore tipike të autokracisë. Sipas tyre, populli shqiptar nuk ka zhvilluar ndër vite mekanizma për të shmangur veprimet korruptive të zyrtarëve, por i pranon ato si të mirëqena. Rrjedhimisht, demokracia aktuale nuk lejon korrigjimin e gjendjes dhe nga zgjidhje shndërrohet në problem. Neomarksistët e shpjegojnë ekzistencën e korrupsionit në Shqipëri me instalimin e "liberizmit ekonomik" pas rënies së diktaturës, gjë e cila sipas tyre ka kalbur dhe mbytur shtetin. Sipas neomarksistëve, sistemi i tanishëm ekonomik dhe politik favorizon pushtetarët në kurriz të popullit, i.e. pakicën kundër shumicës. Kontrolli që klasa politike ka mbi ekonominë, krijon simbioza oligarkike midis biznesit dhe politikës, ndërsa mjedisi liberal ekonomik krijon premisat për shfrytëzimin e burimeve natyrore të bashkësisë nga individë të lidhur me pushtetin. Kësisoj, shtetit nuk i jepen instrumentet e duhura për t'iu kundërvënë këtyre interesave, ndaj për rrjedhojë, këto simbioza shkaktojnë thellimin e korrupsionit. Neomarksistët, në dallim nga ndërkombëtaristët, nuk e shohin zgjidhjen tek përqafimi i mënyrave evropiane, por tek ndarja më e drejtë e pushtetit. Përkundër këtyre qëndrimeve kritike ndaj sistemit, kemi qëndrimin e sistemistëve, të cilët besojnë se korrupsioni është një dukuri e pashmangshme në periudhën tranzitore ku gjendet Shqipëria. Ndër sistemistët përfshihen: klasa politike, e cila mbështetet tek favorizimi që i bën sistemi; dhe elitat ekonomike përqark tyre, të cilat përfitojnë ekonomikisht nga lidhja me politikën. Ata përqafojnë idenë e zhvillimit gradual "brenda mundësive të Shqipërisë", duke integruar organikisht ligjet dhe mënyrat e sjelljes perëndimore, në një sistem politik të qëndrueshëm. Sukseset e kohëve të fundit, si liberalizimi i vizave, përmirësimi i situatës së krimit të organizuar, forcimi i pjesshëm i ekonomisë dhe disa vlerësime pozitive të ndërkombëtarëve, janë sipas shumicës aktuale prova më e mirë e vlerës së kësaj qasjeje. Njëkohësisht, opozita citon qeverisjen e keqe si arsyen e vetme të thellimit të dukurive korruptive. Vlera e vetme për gradualistët është pragmatizmi, me anë të të cilit mund të dilet nga çdo situatë dhe të shpëtohet sistemi. Ndërsa konfliktet e përditshëm politikë pasojnë njëri-tjetrin, të gjitha palët mbeten të dedikuara ndaj sistemit, i cili u garanton privilegjet e pushtetit apo pritshmërinë e të ardhurit në pushtet. Megjithë përpjekjet për të shpjeguar korrupsionin, teoritë e parashtruara më lart çalojnë logjikisht dhe janë të mangëta. Në fakt, asnjëra nga to nuk identifikon dobësinë e shtetit si funksion i korrupsionit. Kozmopolitët presin që populli të ndërgjegjësohet e të përqafojë "vlerat europiane", por nuk propozojnë një rrugë që të na çojë atje. Neomarksistët nuk shkojnë përtej analizës klasore të gjendjes dhe mbështeten në përsiatje teorike të tejkaluara nga rrjedha e historisë. Ndërsa sistemistët nuk mund të gjejnë arsye logjike për "kokëfortësinë" e korrupsionit përtej retorikës politike. Më tej, të tria teoritë e cilësojnë integrimin europian si vlerë themelore për ardhmërinë e shqiptarëve. Mirëpo, integrimi nuk është vlerë, është proces. Siç dëshmon edhe ecuria, në tërësi e pakënaqshme teknike e procesit në këto njëzet vjet, politika shqiptare nuk ka mundur të prodhojë një identitet të qartë demokratik të shqiptarëve. Mungesa e këtij identiteti ka bërë që Shqipëria të vlerësohet si vend problematik, politikanët e të cilit nuk janë interlokutorë të besueshëm. Ndërkohë, akuzat e ndërsjella për korrupsion venitin besimin tek politika dhe nuk i shërbejnë asnjë vizioni afatgjatë, përveç ruajtjes së privilegjeve të politikës aktuale. Pra, shqiptarët nuk mund ta sigurojnë integrimin pa krijuar më parë një identitet të vetin demokratik, i cili të përfaqësojë vlerat e tyre të qeverisjes. Por problemi kryesor i qasjeve të mësipërme, është në gjykimin tim, mungesa e trajtimit të karakterit kombëtar, që duhet të ketë shteti. Shqiptarët nuk mund të kenë arsye tjetër për të ekzistuar si bashkësi, përpos ndërtimit të një shteti-komb, legjitim e të qëndrueshëm. Sipas logjikës historike, çdo alternativë tjetër është logjikisht e paqëndrueshme dhe kërcënon mbijetesën e kombit shqiptar. Arsyeja e shqiptarëve për të bërë shtet funksional nuk mund të jetë integrimi me Europën, sado që në aspektin formal ai mbetet objektiv i dëshirueshëm. Shqiptarëve u duhet të krijojnë një shtet, i cili t'i përshtatet vlerave të shqiptarëve, zakoneve dhe mënyrës së tyre të jetesës. Pra, integrimi është pasojë e konsolidimit të një shteti të qëndrueshëm e jo anasjelltas. Pra, korrupsioni është produkt i drejtpërdrejtë i sistemit politik të tanishëm, i cili nuk përçon vlera shqiptare, por interesat e elitave për pushtet dhe pasurim të shpejtë. Megjithë disa zhvillime pozitive, ky sistem vazhdon të prodhojë ngërç, amulli politike dhe paqëndrueshmëri. Pas njëzet vjetësh, ndoshta ka ardhur koha që shoqëria shqiptare ta shqyrtojë me kujdes gjendjen dhe të mos qorrohet as nga propaganda, e as nga interesat e ngushta materiale të pushtetarëve. Heqja e vizave është melhem i përkohshëm për dinjitetin e shqiptarëve, por jo zgjidhje e problemeve afatgjata të qeverisjes. Rruga për në Bruksel kalon nga Tirana, Shkodra, Durrësi e Vlora. Shqiptarët nuk kanë mangësi vlerash, atyre u mungojnë drejtues politikë me vizion më të gjerë se xhepi i tyre. Ata kanë pritur me durim, që sistemi politik i ndërtuar mbi ëndrrën e Dhjetorit, të japë frytet që ata prisnin. Durimi i tyre nuk mund dhe nuk duhet të jetë i pafund.

KOMENTE