English

Kreu i Bashkisë së Lushnjës rikthehet te LSI. Sot takimi me Metën

Lushnjë, 21 nëntor NOA – Kryetari i Bashkisë së Lushnjës Albert Sanxhaku do të largohet nga Partia Socialiste për t'u rikthyer sot në Lëvizjen Socialiste për Integrim. Lajmi konfirmohet për Agjencinë e Lajmeve NOA nga burime pranë LSI-së. Mësohet se do të jetë vet kreu i LSI-së, Ilir Meta, i cili do të shpallë ripranimin e Sanxhakut në këtë forcë politike, pas largimit të tij dy vite më parë.

Afrimi i Sanxhakut në LSI do të bëhet publik sot gjatë një konferencë të përbashkët për mediat që do të zhvillohet në qytetin e Lushnjës nga kreu i LSI-së dhe kreu i Bashkisë së Lushnjës.

Burime nga LSI saktësuan për NOA se ka pasur disa takime të drejtuesve të lartë të LSI me Sanxhakun ku është diskutuar për bashkimin e tij me LSI dhe bashkëpunimin e mëtejshëm.

Kalimi i Sanxhakut lidhet me afrimin e zgjedhjeve lokale. Në vitin 2007, ai kandidoi për koalicionin e majtë nën siglën e LSI-së në qytetin e Lushnjës. Ndërsa më pas si u largua nga kjo forcë politike së bashkë me disa drejtues të tjerë të kësaj force.

Kthimi i tij në LSI pritet të forcojë edhe më tepër LSI-në në këtë qark.

Ndërsa kjo lëvizje e kreut të LSI-së, Ilir Meta shihet edhe si një mënyrë për të kompensuar largimet që mund të sjellë në parti ikja e Dritan Priftit.

Albert Sanxhaku është zyrtari i dytë i lartë i PS-së që bashkohet me LSI-në brenda pak muajve, pas ikjes së deputetit të PS-së në Gjirokastër, Vangjel Tavo.

a.k/NOA

KOMENTE