English

Letër e hapur për z.Dell

Jo segregacion të konkurrencës së lirë politike në Kosovë, z. Dell!

Nga Adnan Abrashi

Shumë i respektuari z. Dell!

Vizita e juaj e fundit në zyrën e partisë më të re “FeR”, e cila këtë vit do të garoj së pari në zgjedhjet e 12 dhjetorit, dhe me këtë rast, dhënia haptazi e përkrahjes atyre, dhe, nga ana tjetër, mohimi kategorik i mundësisë së vizitës të ngjashme edhe lëvizjes “VETËVENDOSJE” e cila po ashtu do të garoj së pari në këto zgjedhje, mendoj se është një hap i juaji i ngutshëm. Andaj, dyshoj sinqerisht se ky veprim e shpreh qëndrimin zyrtar të politikës amerikane e cila si mike e jona e dëshmuar, ka dhënë dhe jep reshtur kontributin e saj shumë të çmuar, në mes tjerash, edhe në drejtim të kultivimit të traditës së mirëfilltë demokratike të tipit amerikan, të cilën ne, pa dyshim, sinqerisht e përkrahim dhe e dëshirojmë si model në shtetin tonë të ri. Por, kjo ndërhyrje e juaj ashiqare e anshme sugjestive për një parti, mu në prag të fushatës parazgjedhore, mendoj se në mënyrë flagrante e cenon barazinë e konkurrencës në mes të subjekteve politike dhe është një ndërhyrje direkt në zgjedhje të lira dhe demokratike që do të mbahen më 12 dhjetor në Kosovë.

Nuk e di se sa jeni të njoftuar për këtë të varetë koluareske?! Aktualisht , me të madhe në popull qarkullon një bindje se, partia e re politike “FeR”, e cila kohën e fundit befasishëm doli në skenën tonë politike mu para shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme, është krijesë konspirative artificiale e promovuar nga ana e dy partive tona të mëdha, dhe në koordinim me disa ambasada të shteteve të huaja në Kosovë. Shkaku: pikërisht frika nga reputacioni në rritje i lëvizjes “VETËVENDOSJE” tek masat. Personalisht, aspak nuk dëshiroj që të besoj në një të vërtetë të tillë të thurur nga dyshimet e paargumentuara populliste, por, gjesti i juaj i fundit si përkrahje “FeR”-it dhe mohimi publik i mundësisë së takimit edhe me lëvizjen “VETËVENDOSJE”, e fuqizoj edhe më tepër këtë hamendësim në popull. Mjafton vetëm të takoheni inkognito me një qytetar të zakonshëm, apo edhe të merrni opinionet e reagimeve komentuese të vizitorëve të shumtë të thjeshtë në internet për këtë lajm, ku do ta shihni edhe vetë se si është disponimi i vërtet i masave tona popullore në këtë drejtim. Nga efekti i dëshiruar të arrihet me këtë punë, mbase rezultati praktik po na del si kontra-produktiv! Pse është kështu, ka shumë shpjegime. Dhe ato mund të bëhen varësisht nga këndvështrimi analitik i këtij realiteti. Mbi të gjitha, një konstatim i përgjithshëm ekziston: pa dyshim se, me kalimin e kohës, mentaliteti i këtij populli po ndryshon! Ne në bindje, dita-ditës po kthehemi kah prototipat e vjetra të gjenetikës tonë tradicionale si popull, të cilat, nga traumat e përjetuara shekullore, gjatë kanë qenë të trysura si harresë në nënvetëdijen tonë kolektive.

Perioda dhjetëvjeçare pas çlirimit që e lëmë pas, ishte një dekadë vërtetë e shkollës tonë fillore të mësimit praktikë të demokracisë. Gjatë tërë kësaj kohe ne ishim fëmijë. Të mitur. Ata që patjetër dikush prej të rriturve, duhet t’i përcillte për dore deri në shkollë. E, posa arrinim në shkollë, aty përsëri dikush nga mësimdhënësit e huajt të rreptë na mësonte se si të rimë në tavolinë, si ta mbajmë shpinën drejtë, lapsin në dorë, mos të shohim në hapësirë kuq e si por vetëm katërt me yje të verdha në qiell, mos të kërkojmë të bashkohemi me vllahun tonë... aty ku na mësonin për drejtat universale të cilat vetëm duhet t’i dimë si parime e kuruesi më vonë t’i kërkojmë dhe të luftojmë për to... Te ne thuhet se për prindërit fëmijët gjithnjë mbeten të vegjël, por ne u rritëm. U bëmë burra dhe të pavarur. Në ato shkolla të financuara nga ju, vërtetë na dhatë ca dije por jo edhe urtësinë. Urtësia kolektive e një populli është eksperiencë dhe trashëgimi. Ajo si stereotip është gdhendur thellë në gjenet tona dhe përcillet brez pas brezi që nga të parët tanë. E kush janë të parët tanë, për këtë nuk kam aspak dyshim se e dini! Janë mu ata që nën kthetrat e shumë stuhive barbare asimiluese shekullore, me sakrificë të mrekullueshme, e ruajtën gjenetikën e trashëgimisë sonë të pastër ariane. Janë mua ata për të cilët tek tashti e tutje ju do t’i hapni disa aktivet historike të ruajtura deri më sot si fshehtësi. A nuk është kjo vlerë e veçantë, që ne shqiptarët si popull, duke u bërë pjesë e familjes suaj të madhe demokratike, do t’ju ofrojmë në të ardhmen?!

Ju mundeni të ndjeheni të befasuar pse unë tani po ju lodhi me këto”dokrra”të cilave ju vjen era të një mentalitetit kaherë të perënduara të frymëzimit romantik nacional, por, jam më se i sigurt se shumë strategjitë sado të sofistikuara analitike të marketingut më bashkëkohor politik në botë, në synimet e tyre të veprimit psiko-social ndikues, si kalkulime të së mundshmes, patjetër për bazë i kanë edhe këto rrethana specifike. Programet dhe veprimet parazgjedhore të partive tona politike të bëra si vardisje ndaj simpatisë dhe dëshirave të dikujt tjetër, në krahasim me ato që sinqerisht artikulojnë vullnetin tonë të vërtetë si popull, patjetër do me urtësinë intuitive do të nuhaten nga masat. Në krahasim me ndikimet boshe të metodave të marketingut bashkëkohor parazgjedhor (pa i marrë për bazë në to mentalitetin tonë autotentik) për të cilën partitë e ndryshme do të paguajnë para të majme nga fondet e dyshimta, në fund, shumë lehtë mund të dështojnë. Ju garantoj se, atë ditë, ndezjen e atij vullnetit kaherë të fjetur kolektiv, do të ketë sukses ta aktivizoj tek masat tona, vetëm ajo parti apo subjekt tjetër politik i cili do ta di ta jap MANTRËN (kodit) e saktë si çelës, që hap këtë thesar kaherë të fjetur të popullit tonë.

Zgjedhjet e lila dhe besoj të qeta dhe demokratike që do të mbahen në Kosovë, më 12 dhjetor, janë një moment tejet i shumëpritur për popullin tonë. Sipas një klime të disponimit te incizuar në teren, në këto zgjedhje pritet që qytetarët të dalin edhe më masivisht. Andaj, pa marrë parasysh se cilën parti do ta vizitoj, do ta përkrahi apo nuk do ta vizitoj dhe përkrahi ndonjë ambasador i huaj, shumica prej nesh, që tani jemi orientuar se për kë do të votojmë, dhe ky përcaktim i yni është i paluhatshëm.

Jam më se i sigurt se për këtë, më 12 dhjetor, do të bindemi të gjithë?!!

Shkrim i autorit, nuk përfaqëson domosdoshmërisht qëndrimin editorial të NOA

KOMENTE