English

PS: Buxheti për bujqësinë, Berisha harroi të mbillte ullinjtë

Tiranë, 21 nëntor, NOA – Partia Socialiste ka deklaruar sot se buxheti i viti 2011 nuk merr parasysh kërkesat për investimet në bujqësi. Sekretari i Këshillit Ekonomik në PS, Ervin Bushati, tha sot se përveç mungesës së investimeve në këtë sektor, buxheti nuk merr parasysh dhe premtimin e kryeministrit për mbjelljen e 4 milionë ullinjve. Sipas tij është zbatuar i njëjti skenar harrese me fondet dhe investimet në bujqësi, duke i lënë investime banorëve në fshat më pak se 9 euro për frymë për vitin 2011, në buxhetin e krizës.

“Berisha ka lënë në harresë premtimin e dhënë për të mbjellë 20 milionë rrënjë ullinj dhe për të kthyer bujqësinë në një prioritet të këtij vendi”, tha Bushati.

Ai u shpreh se bujqësia është lënë jashtë vizionit të madh të qeverisë dhe më të goditura janë zonat rurale.

“Zonat rurale dhe popullata e tyre gjenden në harresë dhe të pa integruar brenda shtetit të tyre. Puna në bujqësi sot nuk ka vlerë, sepse i mungon përfitimi ekonomik. Bujqësia sot ka probleme të rënda në burimet e prodhimit, ndërkohë që nuk po ofrohet asnjë strategji për ta nxjerrë nga gjendja e pashpresë në të cilën ndodhet”, tha Buxhati.

Ai u ndal në dhe mungesat që ka bujqësia në shërbime dhe infrastrukturë, duke theksuar se këto janë të domosdoshme për një mbarëvajtje normale të punëve në këtë sektor.

“Fondet kryesore dhe në vitin në vijim do të shkojnë për të reduktuar efektet e përmbytjeve masive, që vetë shteti i shkakton nga veriu në jug”, tha Bushati.

Përfaqësuesi i PS-së deklaroi se premtimet për investime në bujqësi bëhen vetëm në rastet e fushatave elektorale.

“E ardhmja në fushën e bujqësisë duket e errët pa një strategji të plotë dhe efikase se si mund të nxirret nga gjendja në të cilën ajo ndodhet. Bujqësia shndërrohet në “prioritet” për shtetin vetëm në prag zgjedhjesh. Fshati nuk është prioritet real për sa kohë gjysma e popullatës në Shqipëri mbetet me vetëm 0.51% të GDP në buxhetin e akorduar nga shteti, shifër kjo sa 1/6 e asaj që do të hanë rrugët në vitin e ardhshëm”, tha Bushati.

a.k/NOA

KOMENTE