English

PS: Me paratë e ilaçeve u ble godina e LSI

Tiranë, 21 nëntor, NOA – Nënkryetari i Grupit Kuvendor të Partisë Socialiste, Eduard Shalsi në vijim të akuzave ndaj ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili për korrupsion me tenderat e ilaçeve, ka akuzuar sot se me paratë e fituara nga taksapaguesit është blerë edhe godina qendrore e Lëvizjes Socialsite për Integrim, që gjendet pranë bankës “Procredit” në zonën e Tiranës së re.

“Vetëm godina ku Ilir Meta ka zyrat qendrore është blerë mbi 1.2 milion euro. Ku u gjetën paratë për blerjen e kësaj godinë në zemër të Tiranës? Si u financua blerja? Nëse është blerë me kredi, atëherë mos vallë lekët për shlyerjen e saj janë ilaçet e munguara nëpër spitale?, aludoi në një konferencë për shtyp, nënkryetari i grupit të socialistëve në parlament.

Deputeti socialist akuzoi ministrin Vasili dhe mbështetësin e tij, kreun e LSI-së, Ilir Meta se po pasurohen mbi interesat jetike të qytetarëve shqiptarë, të cilët po paguajnë nga xhepi ilaçet e shtrenjta e çdo shërbim nëpër spitale.

“Këta njerëz nuk kanë tjetër qëllim veçse të pasurohen duke grabitur deri dhe ilaçet e spitaleve. Kjo është arsyeja se pse çmimet e ilaçeve janë të larta dhe të papërballueshme. Kjo është arsyeja se pse nuk ka ilaçe nëpër spitale”, deklaroi Shalsi.

Duke vijuar akuzat për gjendjen e mjerueshme të shëndetësisë shqiptare, deputeti Shalsi theksoi se shqiptarët kanë humbur tërësisht besimin tek shëndetësia pasi sistemi shqiptar nuk ofron siguri, dhe është një sistem që në vend të shpëtojë i ka zhytur shqiptarët në dëshpërim.

Shalsi ka akuzuar qeverinë për degradimin e sistemit shëndetësor dhe ka apeluar mbi arsyet e këtij degradimi, që i mëshojnë përfitimit dhe pasurimit personal, të kreut të dikasterit të shëndetësisë, Vasili dhe mbrojtësit të tij partiak, kryetarit të LSI-së, Ilir Meta, i cili është përfituesi i madh i këtyre parave nga biznesi i ilaçeve.

“Në fillim fshiheshin pas zëdhënëses, pastaj paturpësisht pas drejtorit të politikave shëndetësore që provuam se si fitonte tendera miliona lekësh nëpër spitale dhe më në fund doli dhe avokati mbrojtës i Vasilit që nuk mund të ishte njëri tjetër përveçse Ilir Meta”, tha deputeti i PS-së.

Deputeti Shalsi evidentoi rishtas akuzat e mëparshme ndaj ministrit Vasili, duke argumentuar se kompani monopol në tregun e ilaçeve, me një fitim të shumëfishuar nga 1 milion euro në 9 milion euro përgjatë vitit 2010, është kompania Megapharma sh.p.k, në pronësi të Rasim Hamzarajt, i cili sikundër veçoi deputeti Shalsi është “Djali i dajës së Petrit Vasilit”.

“Po po djali i dajës së Petrit Vasilit është pronari i Megafarmës, i kompanisë, që ministri së bashku me Ilir Metën e bënë të dominonte brenda vetëm një viti tregun e ilaçeve në Shqipëri”, denoncoi deputeti i PS-së, duke theksuar më tej se kjo qeveri nuk mund të zgjidhë hallet e popullit dhe as problemet e shëndetësisë, që në mënyrë ironike janë kthyer në përfitim për klanin Vasili-Meta.

mit/NOA
KOMENTE