English

Sanxhaku: Nuk jemi “kontrapedal”, ikim nga PS, drejt LSI me 350 anëtarë

Lushnje, 21 nëntor, NOA/ Irma Toptani – Pas largimit nga rradhët e PS-së, të deputetit të Gjirokastrës, Vangjel Tavo, që iu bashkua LSI-së, Kryetari i Bashkisë së Lushnjes, Albert Sanxhaku dhe 350 anëtarë të tjerë të larguar nga LSI drejt PS-së, i janë rikthyer rishtas sot Lëvizjes Socialiste për Integrim, duke kundërshtuar kështu lidershipin e Partisë Socialiste, Edi Rama, që sipas Sanxhakut bëri të pamundurën që të pengojë integrimin e Shqipërisë në BE si dhe procesin e liberalizimit të vizave.

Në një prononcim për mediat kryetari i Bashkisë së Lushnjes duke e quajtur kontrapedal politikën e lidershipit të socialistëve, sqaron arsyet e këtij bashkimi me LSI-në, që ai e quan si një forcë të majtë integruese për vendin.

Ky afrim me LSI-në vjen pak muaj para zgjedhjeve vendore, duke bërë që bashkë me kryetarin e Lushnjes, Sanxhaku edhe të 350 anëtarët e tjerë që iu rikthyen LSI-së të jenë një garanci e fortë mbështetëse për zgjedhjet e 8 majit.

Cili është motivi që iu riktheu te LSI-ja pas kaq kohësh?

Motivi është politik shumë i aspiruar. LSI-ja ka qenë morali im politik. Është një parti e cila ka aspiruar dhe aspiron vazhdimisht për integrimin evropian dhe nuk mund të jemi kontrapedal në politikë, që të pengojmë qytetarët tanë, që të pengojmë shqiptarët të lëvizin lirshëm në Evropë dhe t’i nxjerrim nëpër bulevarde duke protesta apo greva.

Në të kundërt ne jemi një forcë që punojmë sa më shumë për të mirën e shqiptarëve, duke i krijuar klimë pozitive të gjithë atyre investitorëve, edhe atyre të huaj, që të jenë prezent në ekonominë tonë.

A e keni diskutuar këtë vendim tuajin me anëtarët e tjerë të LSI-së së Lushnjes?

Pa diskutim, paraprakisht ne kemi bërë konsultime me anëtarësinë, me të gjithë anëtarët që shoqëruan lëvizjen tonë për shkak të një konceptimi të gabuar me të deleguarin e asaj kohe në vitin 2009. Do të kthehem përsëri te LSI-ja, kemi vendosur bashkë me të gjithë anëtarët e larguar më parë dhe do të jemi më shumë prezent se më parë.

350 anëtarët e larguar nga LSI-ja janë rikthyer dhe janë sot sërish anëtarë të LSI-së, do të jenë kontribuues të kësaj force politike për të integruar sa më mirë edhe qytetarët lushnjarë në komunitetin evropian, për t’i integruar jo vetëm në hartën evropiane, por edhe në hartën shqiptare që të jenë pjesë e investimeve, pjesë e zhvillimit, pjesë e infrastrukturës dhe çdo fushe tjetër të jetës së tyre.

Kështu që do të përkrahim në mënyrë shumë të veçantë edhe ato që janë larguar nga LSI-ja.

Siç e tha dhe z. Meta, “pa dashur” e ka lënë derën të hapur që ne që kemi qenë “të braktisur” të kthehemi përsëri te forca jonë politike, e cila është edhe morali jonë politik. Dhe me këtë rast do të ftoja të gjithë të larguarit e tjerë, të cilët kanë menduar se mund ta gjenin veten diku tjetër, të rikthehen në LSI, pasi është një forcë integruese, e cila garanton tonin politik të vendit, por jo vetëm atë.

Edhe tonin e investimeve, tonin e kapërcimit të krizave dhe tonin e zhvillimit. Dhe nuk mund të mos jemi pjesë e reformave që ka nevojë vendi. Falenderoj zotin Meta.

Unë jam i majtë ashtu si edhe zoti Meta, dhe jam brenda të majtës. Nuk kam dalë jashtë këtij koncepti dhe lëvizja ka të bëjë me moralin politik që unë aspiroj dhe nuk ka të bëjë me asgjë tjetër. Çështjet e tjera i zgjidhin strukturat politike.

mit/NOA
KOMENTE