English

Shefi i qeverisë: NATO rikonfirmoi politikën e dyerve të hapura

Tiranë, 21 nëntor, NOA, Update - Pak orë pas kthimit nga Lisbona, ku u mbajt samiti i NATO-s, kryeministri Sali Berisha deklaroi se aleanca ushtarake e Atlantikut të Veriut konfirmoi edhe njëherë politikën e saj të dyrve të hapura.

“Aleanca shpreh angazhimin e saj për të vazhduar kontributin për paqen dhe sigurinë në rajon dhe procesin e integrimit të vendeve të tjera në aleancën e NATO-s”, tha kryeministri shqiptar.

Duke vlerësuar pjesëmarrjen për herë të parë të Shqipërisë si anëtare me të drejta të barabarta të NATO-s, shefi i qeverisë, Berisha i cili kryesonte delegacionin shqiptar, theksoi se në këtë samit të Lisbonës, më i rëndësishmi samit i NATO-s, që prej themelimit të aleancës, u bë një rivlerësim i rreziqeve potenciale dhe reale të sotme dhe atyre që vijnë, duke vendosur theksin në terrorizmin ndërkombëtar kryesisht te sulmet kibernetike si dhe garantimin e rrugëve të energjisë bërthamore.

Duke vlerësuar samitin e NATO-s, zoti Berisha pohoi se “Aleanca vendosi të krijohet mbrojtja antiraketë, në mënyrë që asnjë grup terrorist të mos mendojë të nisë drejt vendeve të Atlantikut të Veriut raketa balistike”.

Berisha informoi se “Me dokumentin e ri strategjik, NATO, qëndron më lartë se kurrë në vizionin, vendosmërine dhe mjetet me të cilat ajo do të mbrojë lirinë dhe paqen e vendeve anëtare”.

Duke theksuar se dokumenti mori mbështetje unanime, Berisha bëri me dije se u shpreh kënaqësi e madhe për vitalitetin dhe aftësitë që NATO dëshmon falë lidershipit të saj vizionar.

Shefi i qeverisë, tha se gjatë dy ditëve që ai ndenji në Lisbonë, sikundër e quajti ai kryeqyteti i politikës ndërkombëtare, krahas këtij samiti në Lisbonë u mbajt dhe samiti tjetër i paprecedent, NATO-Rusi, sikundër e cilësoi zoti Berisha.

Federata e Rusisë sqaroi ai, u përfaqësua me presidentin Dmitri Medvedev.

“Samiti vendosi për një partneritet dhe bashkëpunim konkret të NATO-s me Rusinë, në mbrojtjen kundërraketë, në fushën e terrorizmit dhe fusha të tjera, bashkëpunim, i cili e bën Europën dhe botën më të sigurtë se kurrë në tërë historinë e saj”, vlerësoi kryeministri Berisha.

Sipas tij, ky ishte një sukses i madh, para së gjithash i vizionit të presidentit Barak Obama, i cili tre vite me parë hodhi këtë tezë të re. Debatin e madh, që shpërtheu me instalimet e raketave në disa vende, tha Berisha, presidenti amerikan e zëvendësoi me ftesën direkte drejtuar homologut rus, Medvedev, që Rusia të angazhohet bashkë më NATO-n, në mbrojtjen antirraketë për të parë Europën dhe botën më të sigurtë nga këto sulme".

“Spikati një vullnet i qartë për një kapitull të ri, për një nivel të ri bashkëpunimi për paqen me Rusinë andaj, tha Berisha “NATO, bëri një hap të madh në drejtim të angazhimit me një partneritet frutdhënës dhe serioz të vendeve, që janë të gatshëm të kontribuojnë për paqen dhe sigurinë globale”, shtoi më tej shefi i ekzekutivit.

Ai vijoi më tej, duke informuar mediat edhe për samitin e vendeve të angazhuara në Afganistan, i mbajtur gjatë këtyre ditëve në Lisbonë, ku “kryetaret e shteteve anëtare dhe presidenti amerikan, Barack Obama theksuan se “NATO është aty për të ndihmuar Afganistanin, që të mos jetë më viktimë e talebanëve”.

Berisha tha se NATO vendosi që të inensifikohet trajnimi i forcave të sigurisë dhe ushtrise afgane, në mënyrë që në vitin 2014 ato të marrin në dorë sigurinë e Afganistanit, ndërsa siguruan se “NATO nuk do të largohet nga kjo fushëbetejë për ruajtjen e sigurisë e paqes në botë”. Vijon....

mit/NOA
KOMENTE