English

Sigurimi gjerman: Nuk ka informacion konkret për objektet e sulmeve

Berlin, 21 nëntor, NOA – Pas njoftimeve të mediave për një sulm terrorist të planifikuar në Rajshtag, Zyra Federale për Krime (BKA) ka paralajmëruar për spekulime dhe veprime në panik.

“Nuk ka as informacione për sulme në vende të caktuara dhe as të dhëna mbi kohën e tyre”, tha shefi i BKA-së, Jorg Ziercke.

Në këtë mënyrë ai iu përgjigj një njoftimi në revistën e përjavshme gjermane "Der Spiegel", sipas së cilës islamistët në fillim të vitit të ardhshëm planifikojnë një sulm në ndërtesën e Rajshtagut në Berlin.

Kancelarja Angela Merkel tha se ka vërtet një rrezik real, por autoritetet po bëjnë gjithçka për të mbrojtur qytetarët. Në mesazhin e saj javor në video Merkel tha: "NATO do të miratojë tani një koncept të ri strategjik në të cilin bëhet e qartë që kërcënimet e sotme janë të një natyre krejt tjetër: Terrorizëm, shtete të shpërbëra - këto janë sfidat e së ardhmes kundër të cilave në duhet të përgatitemi".

Nga mesi i kësaj jave, ministri i Brendshëm Thomas de Maiziere kishte paralajmëruar për një sulm të mundshëm terrorist nga islamistët. Shkak për paralajmërimet duket se janë bërë informacionet e një dezertori potencial, i cili sipas njoftimeve të agjencive, shpesh herë i ishte drejtuar Zyrës Federale të Krimeve (BKA).

NOA/DV

KOMENTE