English

Topi: Italia, partner strategjik. Jemi të vetëdijshëm për sfidat e heqjes së vizave

Prato, (Itali), 21 nëntor, NOA – Presidenti i vendit Bamir Topi ka deklaruar se autoritetet shqiptare janë të vetëdijshme për sfidat që sjellë liberalizimi i vizave, duke nënkuptuar shkeljen e rregullave nga qytetarët shqiptarë.

Deklarata e kreut të shtetit është bërë sot gjatë takimit me kryetarin e Bashkinë e Pratos në Itali Roberto Çeni. “Kryetari i Shtetit bëri një panoramë të atmosferës optimiste të krijuar në vend pas vendimit për liberalizimin e vizave për Shqipërinë me BE-në, duke theksuar se shteti dhe qytetarët shqiptarët janë të ndërgjegjshëm për sfidat dhe detyrimet që rrjedhin nga ky vendim”, njofton Presidenca në lidhje me takimin e Topit.

Gjatë takimeve në Prato, Topi është pritur nga përfaqësuesit e Këshilli Komunal si dhe nga qindra qytetarëve, në mes të të cilëve kishte shumë bashkatdhetarë, të cilët i rezervuan Kreut të Shtetit një pritje mjaft të ngrohtë, vëllazërore dhe emocionuese.

Në takimet e veçanta të zhvilluara gjatë qëndrimit të tij në Prato me Kryetarin e Bashkisë së qytetit, Roberto Çeni dhe me Përfaqësuesit e Grupeve Ekonomike dhe të Shoqatës “Sopoti’’, Presidenti Topi vlerësoi nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe popujve tanë dhe miqësinë tradicionale të konsoliduar ndër vite.

Kryetari i Shtetit vuri në dukje faktin se Shqipëria e shikon Italinë fqinje si një partner të rëndësishëm strategjik dhe mbështetëse të fortë në rrugën e saj për realizimin me sukses të aspiratës për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.

Topi u ndal në disa prej zhvillimeve më të fundit dhe reformave në Shqipëri në drejtim të konsolidimit të të institucioneve demokratike, fuqizimit të kuadrit ligjor si dhe përmirësimit të klimës së biznesit në vend.

Ai theksoi se Shqipëria mirëpret zgjerimin e investimeve të bizneseve prestigjioze italiane.

Drejtuesit e institucioneve të Pratos dhe përfaqësuesit e shoqatave të ndryshme ekonomike të rajonit vlerësuan vizitën e Kreut të Shtetit shqiptar si një pikë kulmore e zhvillimit të marrëdhënieve të gjithanshme mes dy vendeve duke nënvizuar rolin e rëndësishëm që luan edhe bashkësia e madhe në numër e emigrantëve shqiptarë në Itali.

Në takim u theksua rëndësia e rritjes së pranisë së investitorëve italianë në vendin tonë si dhe shtimi i shkëmbimeve ekonomike-tregtare mes dy vendeve.

a.k/NOA

KOMENTE