Follorinë, 21 Nëntor 2010 NOA – Një punonjës policie i dha fund jetës duke u vetëvrarë, menjëherë pasi u denoncua me kallëzim penal nga një emigrant shqiptar si trafikant klandestinësh.
Ngjarja bëhet edhe më e rëndë për vetë faktin se disa javë pas marrjes së vendimit për heqjen e vizave dhe pak ditë para ekzekutimit në kufij të këtij vendimi, lëvizja e paligjshme e emigrantëve po vazhdon me ritmet e mëparshme.
Punonjësi i policisë që vrau veten ishte një 43 vjeçar nga Niki në Follorinë, baba i dy fëmijëve i cili punonte në rajonin policor të Nikit, raporton korrespondenti i ajgencise NOA.
I ndjeri u gjet i vdekur në makinën e tij ku edhe kishte lënë një letër lamtumire në të cilën paralajmëronte se po ikte nga kjo botë përmes flijimit.
Në letër ai shpjegonte se ishte rënduar shumë psikologjikisht, për shkak të akuzës së mbërritur nga një shtetas shqiptar se ai bënte trafikim të emigrantëve klandestinë duke fituar shuma parash për kalimin e paligjshëm të tyre nga Shqipëria në Greqi.
Denoncimi aludonte se polici kryente trafik klandestinësh shqiptarë por edhe irakenë, gjithnjë përmes kufirit me Shqipërinë.
Këtë akuzë, në letër polici nuk e pranonte dhe thoshte se nuk e kishte bërë kurrë.
Kurse shtonte se ndjehej i pafuqishëm të përballonte këtë që po i ndodhte ndaj edhe i jepte fund jetës.
Në fakt pak ditë më parë, forcat policore të Nikis, arrestuan në kufirin shqiptaro-grek një grup me shqiptarë të cilët kishin arritur të hynin ilegalisht në territorin grek.
Gjatë marrjes së tyre në pyetje, një i ri shqiptar ka denoncuar policin 43-vjeçar se ishte pikërisht ai trafikanti që merrte paratë pasi mundësonte kalimin ilegal të klandestinëve në tokën greke.
Ky denoncim i emigrantit u pranua nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Policisë së Greqisë i cili nisi hetimet për akuzën e trafikut të klandestinëve.
Kolegët e të ndjerit janë marrë në pyetje. Ata janë shprehur se 43-vjeçari njihej si njeri i qetë edhe pse polic.
n.s/NOA