English

Vetëgjyqësi për kullotën, arrestohen dy fshatarët

Gjirokastër, 21 nëntor, NOA – Për kullotjen e bagëtive dhe pronësinë, dy persona nga fshati Zhulat i Gjirokastrës janë përballur në një konflikt të hapur, ku zgjidhjen kanë kërkuar ta gjejnë me vetëgjyqësi.

Por, vetëgjyqësia dhe plagosja me dashje i ka çuar dy fshatarët në prangat e policisë sot në mëngjes.

Policia e Gjirokastrës deklaroi se përmes një telefonate të mbërritur rreth orës 09.30 minuta, u mësua se në malin e fshatit Zhulat të komunës Cepo, të rrethit Gjirokastër, dy familje kanë konflikt dhe janë rrahur për motive pronësie.

Ngjarja ndodhi rreth orës 09.10 minuta të mëngjesit, në vendin e quajtur “Arra e Boçkos” në malin e fshatit Zhulat, ku Qemal Pula dhe Eduart Gavoi së bashku me familjarët e tyre në mënyrë të përsëritur, dhe pa iu drejtuar organeve kompetente për zgjidhjen në rrugë ligjore të një konflikti lidhur me kullotat dhe pronësinë, janë qëlluar me njëri - tjetrin me sopatë, kosë, e sende të forta, duke plagosur e dëmtuar njëri – tjetrin.

Sipas të dhënave të policisë, e cila ka mbërritur pas pak në vendngjarje, njëri nga personat, Qemal Pula kishte plagosur Eduart Gavoin, në kokë dhe trup, ndërsa Eduart Gavoi pretendonte se Qemal Pula po i dëmtonte kullotën e vet me bagëtitë e tij.

Nga konflikti janë plagosur edhe dy familjarët e shtetasit Eduart Gavoi, konkretisht bashkëshortja S.G dhe nipi B.G, të cilët janë shtruar në Spitalin “Omer Nishani”, për të marrë ndihmë mjekësore, ndërsa lajmërohet se janë jashtë rrezikut për jetën.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore policia vuri në pranga Qemal Pulën, i datëlindjes 1980, lindur dhe banues në fshatin Zhulat të rrethit Gjirokastër dhe Eduart Gavoin, i datëlindjes 1962, lindur dhe banues në fshatin Zhulat të rrethit Gjirokastër.

Të dy shtetasit e ndaluar aktualisht janë të shtruar në Spitalin e Gjirokastrës për të marrë ndihmë mjekësore nën ruajtjen e policisë.

Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një kosor.

mit/NOA

KOMENTE