English

Balla: Meta të tregojë si e ndërtoi vilën në Gjirin e Lalzit dhe shtëpinë në Bllok

Tiranë, 22 nëntor, NOA – “Prej disa ditësh i kërkojmë Ilir Metës se si ka mundësi që një politikan që ka punuar vetëm si deputet, ministër e ca kohë si kryeministër dhe qe s’ka pasur kurrë një biznes të deklaruar apo ndonjë punë tjetër të mirëpaguar, të ketë në pronësi një vilë superluksoze në Gjirin e Lalzit dhe një apartament luksoz prej disa qindra metrash katror në zonën e Bllokut?”

Kjo ka qenë deklarata e bërë sot publike nga sekretari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, sipas të cilit, “Ilir Meta në vend që të japë përgjigje mbi këtë çështje, e cila është denoncuar nga vetë kolegët e tij, refuzon të japë shpjegime për këtë vepër penale të fshehjes së pasurisë”.

“Ky është deklarimi i pasurisë i Ilir Metës ku nuk rezulton i deklaruar as apartamenti në zemër të bllokut dhe as vila luksoze në Gjirin e Lalzit”, tregoi publikisht ai.

Duke shtuar se është pikërisht ky dokument i cili shtron sot dy pyetje shumë të rëndësishme: “E para, si ka mundësi që një njeri si Ilir Meta i cili në karrierën e tij nuk është marrë me biznes por vetëm me politikë të jetë në gjendje të blejë e të ketë në pronësi prona të tilla që vlerësohen në miliona euro?”.

“Dhe e dyta, si ka mundësi që mëkëmbësi i kryeministrit të qeverisë së votave të vjedhura nuk bën as minimumin për të qenë transparent, por të dyja këto prona qëllimisht nuk i deklaron pranë ILDKP”, shtoi Balla.

Duke përfunduar se nëse Meta nuk ka qenë biznesmen, a mos vallë këto miliona dhe miliona eurot e tjera që po dalin dita ditës ne dritë dhe që konfirmohen dhe nga ish kolegë të Ilir Metës janë rezultat i biznesit që ky njeri ka bërë me politikën?

“Të dyja këto prona, qoftë vila në Gjirin e Lalzit, qoftë apartamenti luksoz në qendër të Tiranës i shtohen selisë së LSI si prona për të cilat Ilir Meta duhet të japë llogari”, përfundoi Balla.

n.e/NOA

KOMENTE