Tiranë, 22 nëntor, NOA - Përpjekja e Ramës për t’ia veshur policisë fajin është shenjë paniku e një të paafti, që u ikën përgjegjësive të veta, duke kërkuar fajtorë për një përgjegjësi që është kryekëput e vetja dhe për një faj që është vetëm i tij.
Kështu erdhi edhe reagimi i ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, pas akuzave që lëshoi pasdite kryebashkiaku Edi Rama për trafikun e bllokuar sot, për të cilin ai akuzoi qeverinë si orkestruese të bllokimit të qëllimshëm për të fajësuar sipas Ramës bashkinë.
“Jemi të gjithë dëshmitarë të një kaosi që ka mbërthyer sot Tiranën, i cili vazhdon edhe në këtë moment që flasim, ndonëse si rezultat i punës së policisë shpresojmë që brenda një kohe jo fort të gjatë trafiku të normalizohet në të gjithë akset kryesore”, tha Basha në një konferencë të posaçme për shtyp.
Sipas tij ky kaos i sotëm është një variant i rënduar i kaosit të përditshëm në Tiranë, të cilin sikundër theksoi Basha qytetarët e Tiranës kanë kohë që po e vuajnë si pasojë e keqmenaxhimit të qytetit dhe të trafikut rrugor, një çmim që ata po e paguajnë prej arrogancës, papërgjegjshmërisë dhe paaftësisë së Edi Ramës.
Ministri i Brendshëm, i bëri thirrje kryebashkiakut Edi Rama të rikthehet në detyrë, e të mos tallet me qytetarët duke apeluar që të mbajë përgjegjësitë që ka me ligj.
Basha nënvizoi se Shkaqet e kaosit në Tiranë vijnë nga hapja e punimeve pa siguruar alternativë trafiku, bllokimi i qendrës, mungesa e sinjalistikës, lënia pas dore për vite me radhë e infrastrukturës së nëndheshme, e shumë e shumë të tjera.
Ministri i Brendshëm sqaroi se “Ka patur përmbytje sot në Tiranë, përmbytje banesash, të cilat mund të krahasohen apo tejkalojnë ato të fillimvitit në Shkodër”.
Ai informoi sakaq se policia ka patur një mobilizim total.
“Përveç mobilizimit të 300 deri 350 efektivave të pesë komisariateve të Tiranës, janë mobilizuar 100 forca të ndërhyrjes së shpejtë, 200 forca të njësisë së policisë rrugore dhe 35 forca të njësisë së autostradave, pra afro 700 forca për të menaxhuar situatën”, tha Basha, duke iu kundërvënë kështu kryebashkiakut Rama, i cili tha në prononcimin e tij i revoltuar se “mijëra qytetarë janë dëshmitarë se sot s’kishte nëpër rrugë asnjë këmbë polici që të mbikëqyrte trafikun, duke aluduar se bllokimi ishte realizuar qëllimish me qëllim që qytetarët të egërsoheshin me bashkinë e Tiranës.
mit/NOA