Tiranë, 22 nëntor, NOA - Kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama ka reaguar sot për bllokimin e trafikut në akset kryesore rrugore të kryeqytetit. I pyetur nga mediat për fenomenin e ndodhur pas reshjeve të shiut ditët e sotme, Rama ka akuzuar Ministrinë e Brendshëm, Lulzim Basha dhe Kryeministrin, Sali Berisha.
Rama u shpreh se do të kërkojë hetim nga prokuroria, duke u shprehur se nuk ka pasur asnjë polic që të normalizonte trafikun. “Furia e shiut ka kaluar dhe rrugët janë normalizuar dhe bllokimi vazhdon. I kërkojë prokurorisë që të vazhdojë hetimet dhe jam i bindur se mijëra qytetarët janë dëshmitarë të faktit se në rrugë nuk ka pasur asnjë polic”, tha Rama.
Ai u shpreh se me gjithë problemet që ka trafiku në Tiranë, çdo gjë do të ishte normalizuar brenda pak minutave, nëse punonjësi e Ministrisë së Brendshme do të kishin bërë detyrën e tyre.
“Kjo është pjesë e tërë strategjisë së bllokimit të qytetit e cila ka kohë që është vënë në lëvizje, qysh me ardhjen e Berishës në 2005, por tashmë ka një zhvillim të qartë, të thënë dhe të stërthënë gjatë gjithë periudhës së fundi të shfaqur në bllokimin e unazës së re”, u shpreh Rama.
Ai ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve duke theksuar se nga ana e Bashkisë është bërë çdo gjë e mundur për të pasur një situatë normale.
Ndërsa ka theksuar se kjo skemë ka si qëllim “egërsimin e banorëve” nga Ministri i brendshëm dhe Kryeministri.
“Është ministri i Brendshëm me kryeministrin që kanë konsistuar të gjithë këtë shfaqjeje të pashembullt të minimumit etik, të çdo sensi qytetari duke i lënë rrugët e bllokuara me mija qytetarë, vetëm që ti egërsojnë qytetarët”, tha Rama.
a.k/NOA