English

Greqia anulon planin për futjen e Shqipërisë në BE më 2014

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Dhimitris Drucas: Vendet e Ballkanit të futen në Bashkimin Evropian, në vitin 2018. "Viktimë" e premtimeve të Athinës zyrtare, të mbështetura publikisht edhe nga Uashingtoni, ra para disa muajsh zv/kryeministri Ilir Meta. Ai tha se "integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian do të përfundojë brenda vitit 2014". Kurse edhe me e guximshme po pa kurrfarë vizioni, ishte dhe ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu e cila...

Bruksel, 23 Nëntor 2010 NOA – Qeveria greke është tërhequr publikisht nga iniciativa e saj për të mundësuar hyrjen e Ballkanit Perëndimor ku përfshihet Shqipëria, në BE më 2014 dhe e shtyn në kohë këtë proces të integrimit, edhe për të paktën katër vjet të tjera.

Ministri i Jashtëm plotësues grek, Dhimitris Droutsas ka bërë të qartë sot nga Brukseli se vetëm pas tetë vjetësh mund të ketë një integrim të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në BE. Madje sipas tij, kjo datë e re, mund të hidhte për diskutim pas katër vjetësh dhe vetëm për vendet që mund të kenë plotësuar deri atëherë kriteret e Bashkimit Evropian.

Bashkimi Evropian duhet të ketë parasysh vitin 2018, si datë e synuar, për vendet e Ballkanit Perëndimor, që ato të shpresojnë të bëhen anëtare, por vetëm vendet që janë plotësisht të gatshme, do të duhet të lejohen të hyjnë në BE, ishte pohimi i bërë nga ministri i Jashtëm plotësues grek, Dhimitris Droutsas, në mbledhjen e European Policy Center – EPC në Bruksel.

Droutsas tha se gjatë presidencës së saj në vitin 2014, në Samitin “Selaniku II”, Greqia do të synojë krijimin e “Group 2014”, për arritjen e konsensusit në mesin e vendeve anëtare të BE-së, për caktimin e një date të këtillë, për shtetet siç janë Serbia, Maqedonia, Mali i Zi, Shqipëria dhe Bosnja.

Ministri i Jashtëm Plotësues grek, Dhimitris Drucas vlerësoi se Bashkimi Evropian duhet që t’i paraqesë vendeve të Ballkanit Perëndimor datën e synuar për pranim në bllokun deri tani me 28 shtete, në mënyrë që të forcohen reformat demokratike në rajon dhe të forcohet zgjerimi i Bashkimit Evropian

Por Drucas nuk shpjegoi se ç’u bë me planin greko-amerikan për futjen e këtyre vendeve në BE në vitin 2014, plan i trumbetuar shumë duke nisur nga viti i kaluar e deri pak muaj më parë dhe lënë në heshtje javët e fundit, për të ardhur te deklarata e sotme.

Megjithatë sot në Bruksel, z.Drucas premtoi se “Evropa do të përpiqet shumë që Ballkani Perëndimor të jetë pjesë e familjes evropiane dhe që Evropa të mos e lërë kurrë më mënjanë, për të mos përsëritur krimet e së kaluarës”.

"Viktimë" e premtimeve të Athinës zyrtare, të mbeshtetura publikisht edhe nga Uashingtoni, ra para disa muajsh zv/kryeministri Ilir Meta. Ai tha se "integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian do të përfundojë brenda vitit 2014".

Kjo deklaratë e ish-shefit të diplomacisë shqiptare u bë pas takimit të ministrave të jashtëm të Evropës Juglindore, që u zhvillua ditët e fundit në Turqi.

Në një dalje për mediat, Meta tha se ky vit përkon pikërisht me 100 vjetorin e Luftës së Parë Botërore, që nisi nga Ballkani.

"Kjo simbolikë është e rëndësishme në radhë të parë po të kemi parasysh se përfundimi i procesit të zgjerimit të BE-së është një epokë e re për të gjithë Evropën, sepse nga ky rajon janë nxitur konflikte që kanë përfshirë gjithë kontinentin", u shpreh Meta.

Kurse edhe me e guximshme po pa kurrfarë vizioni, ishte dhe ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu e cila pak muaj më parë, tha: "Presim që marrja e statusit të vendit kandidat të përmbyllet brenda vitit 2010, për të krijuar mundësinë që në vitin 2011 të hapen negociatat e anëtarësimit".

Por e gjitha erdhi pasi ishte Droucas ai qe kishte deklaruar nentorin e kaluar se "e ardhmja e Ballkanit Perëndimor shtrihet në Evropë", madje duke shtuar se "përgjatë kësaj rruge, Greqia do të jetë një mik që do të mbështesë dhe do të ndihmojë. Qytetarët e Ballkanit duhet vetëm të zgjedhin që të ndajnë vizionin tonë dhe të punojnë për të realizuar "Axhendën 2014.

Lexoni fjalimin e plote te z.Droucas më 18 Nëntor 2009

n.s/NOA

KOMENTE