Tiranë, 22 nëntor, NOA, Update – “Ka një mijë e një arsye për të festuar ndaj dhe duhet të fillojmë punën, të zbukurojmë qytetet tona, që të mos ndodhë, siç ndodhi me Tiranën vjet, që pas krishtlindjeve dhe pas protestave u vendosën disa llambushka”.
Kjo ka qenë një nga pikat e rëndësishme të fjalës së kryeministrit Sali Berisha në mbledhjen e sotme të grupit kuvendor demokrat, ku ai rikujtoi historinë e baterive të stilolapsave për zgjedhjet që sipas tij u vodhën nga socialistët për të manipuluar në çdo formë zgjedhjet.
“Të fillojë zbukurimi i qyteteve, të mblidhen këshillat bashkiak edhe nëse ndonjë kryebashkiakë është në zi për shkaqet e veta, lë të rrijë në dëshpërimin e tij, qyteti duhet të gëzojë të festojë, komuna duhet të gëzojë, fëmijët, vajzat, djemtë, të rinjtë, të rejat, burra, gratë duhet të shohin një Shqipëri në festë”, deklaroi kryeministri.
“Jemi në prag të festave të fillojë menjëherë se o kemi arsye për të festuar këtë vit, dhe duhet të festojmë, o s’ka për të pasur ndonjëherë”, tha zoti Berisha.
Ai apeloi që në Këshillat Bashkiakë që drejtohen nga mazhoranca të merren sa më shpejt vendimet për zbukurimin e qytetit.
E duke përmendur festat në pritje që nisin me ditën e Pavarësisë e përmbyllen me festën e shenjtë të Krishtlindjes dhe Vitin e Ri, kryeministri theksoi se shqiptarët kanë shumë motive për të festuar këtë vit, pasi në 15 dhjetor do të hyjë në fuqi edhe liberalizimi i vizave dhe nisja e lëvizjes së lirë të shqiptarëve në hapësirën Shengen pas 15 dhjetorit.
“Kemi pavarësinë e vendit, kurrë ndonjëherë pas shembjes së perdes së hekurt s’e kemi pritur më të lirë dhe të denjë këtë ditë. Dita e flamurit duhet të marrë të gjitha dimensionet, kemi ditën, që ndau historinë e pluralizmit dhe të themelimit të Partisë Demokratike, kemi ditën që shqiptarët do të nisen në Europë, festat e shenjta të krishtlindjeve, Vitin e ri, pra duhet që Shqipëria të jetë festive”, tha kryeministri, duke ironizuar dasmën e kryetarit të opozitës Edi Rama duke thënë se “është kollaj të organizosh gëzime gjigande për veten tënde edhe t’u rezervosh qytetarëve terrin dhe errësirën, por këtë nuk do ta pranojmë. Ata që mendojnë të kosntrastojnë gëzimin me terrin gabojnë, gëzimi është si drita, sa më shumë të përhapet aq më shumë ndriçon”, siguroi kryeministri.
mit/NOA