Tiranë, 22 nëntor, NOA - Ministria e Brendshme informon se gjatë kësaj jave kompania “Aleat” do të ofrojë shërbimin e ri të prodhimit të përshpejtuar të pasaportës biometrike edhe në qytetet Shkodër, Vlorë, Elbasan dhe Durrës.
Ajo bën me dije se aplikimi për procesim të përshpejtuar të pasaportës biometrike do të mundësohet që nga data 23 Nëntor në Shkodër, 24 Nëntor në Vlorë, 25 Nëntor në Elbasan dhe 26 Nëntor në Durrës.
Duke shtuar se ky shërbim filloi të ofrohet për herë të parë në Tiranë më 8 Nëntor 2010 pranë njësive bashkiake 3, 4 dhe 10. Edhe në katër qendrat e reja ku do të ofrohet shërbimi për prodhimin e përshpejtuar të pasaportave biometrike aplikimi u mundësohet të gjithë shtetasve të Republikës së Shqipërisë, të cilët mund të zgjedhin në këtë mënyrë pikën më të afërt për përfitimin e këtij shërbimi.
Nëse shtetasi aplikon deri në orën 11:00 pasaporta do të prodhohet në dy ditë pune dhe nëse shtetasi aplikon pas orës 11:00 pasaporta do të prodhohet për tre ditë.
Pasaportat e prodhuara në mënyrë të përshpejtuar do të mund të tërhiqen nga qytetarët pranë drejtorive të Policisë së Shtetit në këto qarqe.
n.e/NOA