English

MTKRS: Do të merren të gjitha masat për mbrojtjen e mjedisit turistik

Tiranë, 22 nëntor, NOA – Qëndrueshmëria dhe parimet e turizmit global të qëndrueshëm për Ballkanin Perëndimor ishin tema e seminarit të mbajtur sot nga ministria e Turizmit në bashkëpunim me USAID-in me synimet që të vazhdojë promovimi për rritjen e qëndrueshmërisë së turizmit duke inkurajuar adaptimin e parimeve universale, ndërgjegjësimin ndaj praktikave për qëndrueshmërinë e turizmit si dhe rritjen e kërkesës për produkte dhe shërbime të turizmit të qëndrueshëm dhe promovimin e pikave turistike të qëndrueshme.

Në fjalën e tij të mbajtur në këtë seminar, ministri i Turizmit, Ferdinand Xhaferraj siguroi se MTKRS do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar politika efektive për mbrojtjen e mjedisit, përmirësimin e produktit turistik në vend, zhvillimin e burimeve njerëzore, dhe rritjen e nivelit të shërbimeve turistike, me qëllim që të sigurojmë në një kohë sa më të shpejtë, përfitime ekonomike afatgjata dhe të qëndrueshme nga zhvillimi i turizmit në vend.

“Seminari, që organizohet sot nga USAID-Rritje Albania, na ofron të gjithëve mundësinë për të diskutuar, së bashku, mbi rëndësinë e Turizmit, si një nga motorrët më të fuqishëm të zhvillimit të tregtisë dhe prosperitetit sot në botë. Turizmi sot është një nga sektorët më kryesorë të ekonomisë globale, i cili ka një kontribut të drejtpërdrejtë në ekonomitë tona lokale dhe kombëtare, duke ndikuar njëkohësisht në reduktimin e varfërisë, krijimin e vendeve të reja të punës, inkurajimin e investimeve dhe tregtisë”, theksoi ministri i Turizmit.

Ai rikujtoi se qeveria Shqiptare në programin e saj për vitet 2009-2013, e konsideron zhvillimin e industrisë së turizmit si një ndër tre fushat kryesore për zhvillimin e shpejtë dhe të qëndrueshëm të vendit.

“Misioni ynë, u shpreh ai, është të punojmë ngushtësisht me sektorin privat për të fuqizuar më tej në tregjet ndërkombëtare pozicionin e Shqipërisë dhe turizmit shqiptar. Objektivi, është kthimi i vendit në një destinacion turistik kryesor mesdhetar”, tha Xhaferraj.

Sipas tij për të realizuar këtë objektiv, qeveria ka ndërmarrë masa për nxitjen dhe lehtësimin e investimeve dhe sipërmarrjeve private, si nga ana ligjore ashtu edhe për infrastrukturën në përgjithësi, duke sjellë për rrjedhojë, që sektori i Turizmit të rrisë peshën e kontributit në ekonominë e vendit si në vlerë ashtu edhe në punësim.

“Viti 2010 ka shënuar një rritje të konsiderueshme të vizitorëve të huaj në Shqipëri, krahasuar me vitin 2009, ne jemi të bindur se deri në fund të këtij viti do të vizitojnë Shqipërinë më shumë se 3.5 milion turistë. Sfida, që kemi përpara është si të jemi konkurues në një rajon me tradita të konsoliduara në fushën e turizmit”, vërejti ministri.

Ministri i Turizmit falenderoi fillimisht drejtuesit e Programit të USAID-it për mbështetjen, që i kanë dhënë MTKRS-së në promovimin e turizmit dhe imazhit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, si një destinacion turistik i sigurt, që karakterizohet nga një diversitet i rrallë i bukurive natyrore dhe një trashëgimi kulturore e klasit botëror.

Në këtë linjë tha ministri ne kemi realizuar botimin e suplementit të “National Geographic Traveler Magazine” - “Ballkani Perëndimor: Vendi i Zbulimeve” apo edhe botimin e përmbledhjes “Mbi Trashëgiminë Kulturore të Shqipërisë” dhe prezantimin e tij në Panairin e Turizmit në Londër.

Gjatë seminarit u përcaktuan parimet e Turizmit Global të Qëndrueshëm, që janë 37 parime vullnetare, të cilat përfaqësojnë minimumin e standardeve që një biznes turistik duhet të plotësojë në mënyrë që të mbrojë, mbështesë dhe përkrahë burimet natyrore dhe kulturore botërore.

Parimet janë organizuar rreth katër shtyllave kryesore: manaxhim të qëndrueshëm dhe efektiv, rritja e përfitimeve sociale dhe ekonomike për komunitetet lokale dhe zvogëlimi i pasojave negative, rritja e përfitimeve nga trashëgimia kulturore dhe zvogëlimi i pasojave negative, dhe rritja e përfitimeve për ambientin dhe zvogëlimi i pasojave negative.

Këto parime ndërkohë sigurojnë që turizmi të arrijë potencialin e tij si një mjet për zhvillim ekonomik dhe ulje të nivelit të varfërisë në një vend dhe janë zhvilluar nga një koalicion i përbërë nga më shumë së 40 organizata private, publike, dhe jo fitim-prurëse të cilat janë këshilluar dhe më eksperte për qëndrueshmërinë dhe zhvillimin e industrisë së turizmit, të cilët rishikuan më shumë se 60 standarde ekzistuese dhe mbi 4,500 parime, të cilat po zbatoheshin nëpër botë.

Në këtë seminar për turizmin merrnin pjesë ekspertë të njohur si Xhenis Liktenvaldt specialiste marketingu dhe promocioni në Këshillin e Qëndrueshmërisë së Turizmit me bazë në Siatëll, Uashington, Xhejms Dion nga Shoqata National Geographic, i cili ka punuar si Drejtor i Asociuar në Qendrën për Destinacione të Qëndrueshme në Shoqatën National Geographic (NGS).

mit/NOA
KOMENTE