English

Ngjela: Protestat për rrëzimin e Berishës, nisin nga Elbasani në 26 nëntor

Tiranë, 22 nëntor, NOA – Elbasani do të jetë qyteti ku do të marrin jetë pas kater ditesh protestat e opozitës së bashkuar për rrëzimin e qeverisë dhe realizimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Të lajmëruara prej fillimit të vjeshtës, por të shtyra nga vetë PS dhe aleatët e saj për shkak të ngjarjeve të rëndësishme si vendimi për liberalizimin e vizave dhe ai për statusin e vendit kandidat, protestat tashmë janë lajmëruar se do të nisin në datën 26 nëntor, pra ditën e premte në qytetin e Elbasanit.

Lajmin për nisjen e protestave nuk e ka bërë publik ndonjë nga krerët e Partisë Socialiste, por një nga aleatët e saj, kreu i Partisë për Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela.

Gjatë një deklarimi të shkurtër për mediat, avokat Ngjela deklaroi se beteja e opozitës për mbrojtjen e demokracisë dhe votës do të nisë nga Elbasani.

Ai i bëri thirrje të gjithë popullit t’i bashkohet thirrjes së opozitës për t’i dhënë fund sikundër tha ai, pushtetit tiranik të Sali Berishës.

Ngjela kerkoi rishtas hetimin e zgjedhjeve te 28 qershorit pasi demokracia dhe vota e lirë duhen mbrojtur me çdo çmim.

Protestat tha Ngjela, janë e vetmja rrugë për nxjerrjen e vendit nga kriza e gjithanshme në të cilën e ka futur qeveria e Sali Berishës.

Avokati theksoi se në pritje të përgjigjes së kryeministrit Berisha për ofertën për zgjidhje e krizës politike, protestat do të jenë masive dhe me një kërkesë të qartë për rrëzimin e qeverisë, pasi ishte pikërisht ajo, që vodhi zgjedhjet e 28 qershorit, vjedhje të cilat i mban të mbyllura në kuti, ndërsa edhe pse opozita ofron zgjidhje të krizës, është prapë kryeministri Berisha ai që hesht.

mit/NOA
KOMENTE