English

Opozita në Maqedoni, mocion votëbesimi për Qeverinë Gruevski

Shkup, 22 nëntor, NOA - Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) në opozitë paralajmëroi mbrëmë se më 16 dhjetor do të ngrit në Parlamentit propozimin për mocionin e votëbesimit të Qeverisë së kryeministrit Nikolla Gruevski.

Lideri i kësaj partie, Branko Cërvenkovski e deklaroi planin për mocion dje në mitingun e mbajtur në qytetin e Shtipit, që është vendlindja e kryeministrit dhe liderit të VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski.

“Më 16 dhjetor pranë Parlamentit do të dorëzojmë kërkesën për largimin e këtij pushteti jopopullor që ka sjellë Maqedoninë në varfëri, izolim dhe bllokim të proceseve evrointegruese”, theksoi kryetari i LSDM-së, Branko Cërvenkovski, duke theksuar se kjo porosi i dedikohet siç e quajti ai “familjes” së kryeministrit Gruevski.

Ai theksoi se kjo qeverisje për pesë vite ka premtuar se do të çojë vendin në NATO dhe BE, por sipas tij, për pesë vite, asnjë centimetër nuk kanë lëvizur.

“Të gjithë përreth nesh përparuan dhe vetëm ne kemi ngelur në vend dhe po rrënohemi”, theksoi Cërvenkovski, duke shtuar se arsyeja kryesore se përse qytetarët do të mbështesin zgjedhjet e parakohshme është edhe varfëria.

Kryeministri Nikolla Gruevski i është kundërpërgjigjur mitingut dhe thirrjes së LSDM-së për zgjedhje.

“Nga ajo që dëgjova në fillim sonte, praktikisht nuk ka asgjë të re. Branko Cërvenkovski i përsërit fjalimet e tij. Ai këtë e bëri 15 vite më prapa dhe nuk ka asgjë të re”, deklaroi Gruevski.

Sipas tij, LSDM nuk ka koncept dhe program, por vetëm kritikon, dhe nuk tregon se çfarë do të bënin.

Mocioni për votëbesimin e Qeverisë aktuale do të jetë vështirë për të rezultuar i suksesshëm, për shkak se maxhoranca aktuale pa partinë shqiptare gëzon 63 deputetë, por duke përfshirë edhe partinë shqiptare BDI e cila ka 18 deputetë, kjo është maxhoranca më absolute deri tani në Maqedoni.

NOA/INA

KOMENTE