English

Policia e Shtetit: 700 forca tonat menaxhuan kaosin rrugor në Tiranë

Tiranë, 22 Nëntor 2010 NOA/ Rid Bulku - Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, deklaroi para pak minutash se 700 punonjës policie u angazhuan gjatë ditës së sotme, për menaxhimin e situatës së krijuar në kryeqytet nga trafiku dhe përmbytjet.

Nga këto 700 forca, 350 ishin punonjës të Drejtorisë së Policisë Tiranë dhe Komisariateve në varësi të saj, 200 efektivë të Njësisë Rajonale të Policisë Rrugore Tiranë, 35 punonjës policie të Njësisë për Kontrollin e Autostradave dhe 100 punonjës police të Repartit të Ndërhyrjes së Shpejtë.

Policia e Shtetit tha se çështjet e trafikut të rënduar në qytetin e Tiranës kanë qenë dhe mbeten një shqetësim dhe problem vijues i strukturave të Policisë Rrugore për arsye që theksoi se “i kemi bërë të njohura dhe më parë”.

Reshjet e dendura të shiut të përshkallëzuara përgjatë gjithë ditës së sotme, kanë bërë të mundur rritjen e nivelit të ujërave në të gjithë segmentin rrugor të qytetit, kjo më e theksuar tek rrethrrotullimi i rrugës së Durrësit me rrugën Muhamet Gjollesha, kryqëzimi i Rrugës së Kavajës me Unazën e Re (Ura e Teknologjikes) ku aktualisht kryhen punime për rehabilitimin e rrjetit rrugor, si dhe rruga Don Bosko.

Në orën 15.00 Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, duke parë situatën e rënduar të trafikut për shkak të bllokimit të akseve në dalje të qytetit, që për rrjedhojë solli rëndim të trafikut në të gjitha akset e tjera të brendshme, riorganizoi shërbimet e Njësisë Rajonale të Policisë Rrugore për menaxhimin e trafikut.

Për menaxhimin e situatës së krijuar janë angazhuar dhe janë përqendruar në të gjitha kryqëzimet e qytetit, jo vetëm punonjës të policisë rrugore, por edhe efektivët e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, me të gjitha Komisariatet në varësi të saj, Njësia për Kontrollin e Autostradave, si dhe 100 forca të Repartit të Ndërhyrjes së Shpejtë Tiranë.

Policia e Shtetit theksoi se angazhimi serioz i këtyre shërbimeve solli dhe normalizimin e situatës në të gjitha akset e Kryeqytetit. Kurse shtoi se në vazhdimësi Policia e Shtetit ka ofruar dhe vazhdon t’i ofrojë bashkëpunim strukturave përkatëse në Bashkinë e Tiranës në funksion të mbarëvajtjes së trafikut në qytet.

“Me gjithë vështirësitë e krijuara për shkak të faktorëve të sipërpërmendur, strukturat e Policisë së Shtetit do të vazhdojnë të përmbushim me përkushtim e profesionalizëm detyrat për drejtimin dhe normalizimin e trafikut në qytet në zbatim të Kodit Rrugor të Republikës ë Shqipërisë”, - thekson Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.

r.b/NOA

KOMENTE