Tiranë, 22 nëntor, NOA Update - Nën operacionin antidrogë, të koduar me emrin “Kristal”, forcat e policisë së Tiranës kanë sekuestruar sasinë e lëndës narkotike të dyshuar si marijuanë prej 43 kilogramë, ndërsa kanë arrestuar edhe 6 persona si posedues dhe shpërndarës të saj.
Ato konfirmojnë për agjencinë e Lajmeve NOA se konkretisht të ndaluarit mbajnë emrat Altin Ndoci, 23 vjeç, banues në Tiranë; Aurildo Xheka, 31 vjeç, banues në Tiranë; Mark Gega, 23 vjeç, banues në Piraj të Lezhës; Xhaferr Ferati, 23 vjeç, banues në Tiranë; Thoma Rrapi, 39 vjeç, banues në Tiranë dhe Vladimir Shtjefni, 30 vjeç, banues në Lezhë; si dhe u shpall në kërkim 28-vjeçari Nikolin Zefi, edhe ky banues në Piraj të Lezhës.
Arrestimi i tyre u krye sepse dje në mesnatë pas informacioneve të marra në ngarkim të tyre dhe organizimit të shërbimeve me qëllim kapjen e tyre, u arrit arrestimi i tyre në rrugën “Komuna e Parisit” në afërsi të një qendre tregtare, në Tiranë.
Pas një hetimi një mujor të bërë ndaj tyre dhe falë informacioneve të poseduara, rezultoi se këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë bërë të mundur sjelljen me automjete të sasisë prej 43 kg lëndë narkotike e dyshuar marijuanë, e cila dyshohet se kishte për qëllim shpërndarjen e saj, kryesisht në zonën e rrugës “Komuna e Parisit” , “21 Dhjetori” etj, zona në Tiranë.
Ndërsa mësohet se lënda narkotike e dyshuar si marijuanë me peshë 43 kg, ishte e fshehur në pjesën e pasme të automjeteve “Ford Galaxy”, me targa TR 5031 U dhe “BMË”, me targa M 271 LYH, në pronësi të Altin Ndocit dhe Thoma Rrapit.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua lënda narkotike ndërkohë që materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për konsumim të veprës penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”, parashikuar nga neni 283/2 i Kodit Penal.
n.e/NOA