Tiranë, 22 nëntor, NOA, Update – Sasia e drogës e sekuestruar sot përkatësisht një kg kokainë e mbërritur nga Panamaja ishte e destinuar për tregun e brendshëm dhe një pjesë e saj do të trafikohej në një shtet të Europës Perëndimore.
Sekuestrimi i drogës u finalizua mëngjesin e sotëm, pas përdorimit të një sërë metodash speciale të hetimit nga Drejtoria kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve në opercionin e quajtur “Motorrino”.
Prokuroria përmes një deklarate thekson se ka regjistruar procedimin penal nr.113 për veprën penale të “trafikimit të lëndëve narkotike”, një procedim i nisur pas komunikimit të Prokurorisë së Përgjithshme, përmes Drejtorisë së Marrëdhënieve me Jashtë, me SOCA në Britaninë e Madhe dhe më pas me autoritetet kompetente në SH.B.A dhe Itali, ndërkohë që për këtë operacion prokuroria është asistuar në mënyrë të vazhdueshme nga informacionet e ardhura nga Shërbimi Informativ Shtetëror.
Menjëherë pas sinjalizimit nga autoritetet e huaja, ka nisur shkëmbimi i informacioneve me DEA në SH.B.A për lejimin e kalimit të kokainës deri në Shqipëri.
Kokaina ka kaluar më pas në disa vende deri në mbërritjen e saj në Shqipëri, ku ndërkohë kishte nisur puna për identifikimin e personave të përfshirë në këtë veprimtari.
Sipas hetimeve droga është nisur nga Panamaja e fshehur në një motorrino, përmes postës së shpejtë, dhe ka pasur për destinacion paraprak Tiranën, në një adresë të rreme.
Gjatë operacionit u arrit të arrestoheshin shtetasit Ilia Xoxe, dtl.1973, lindur në Berat dhe banues në Tiranë, Arben Uku, dtl. 1972, lindur në Berat dhe banues në Tiranë dhe Ervin Tushe, dtl.1980, lindur dhe banues në Tiranë, ndërkohë që hetime po kryhen edhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Është e treta herë brenda pak kohe, që arrihet të sekuestrohet një sasi lënde narkotike e nisur nga Amerika Latine drejt Shqipërisë, çka tregon për një rritje të efikasitetit të punës së agjencive të zbatimit të ligjit në këtë drejtim.
mit/NOA