English

PS: Arsyet pse projektbuxheti 2011 është elektoral e nuk shënon rritje ekonomike

Tiranë, 22 nëntor, NOA – Ndërsa pritet që projektbuxheti për vitin 2011 të miratohet në parim në seancën plenare të 25 nëntorit, Këshilli Ekonomik i Partisë Socialiste u mblodh sot për të diskutuar projekt/buxhetin 2011, i kritikuar si një projekt/buxhet me mangësi të mëdha në alokimin e fondeve, prioritete sipas sektorëve, parashikimet e indikatorëve kyç financiar dhe ekonomik, si dhe nuk tregon asnjë përpjekje reale për të zgjidhur problemet e zbatimit të buxhetit, që kanë karakterizuar gjithmonë qeveritë Berisha.

Sipas ekspertëve të ekonomisë ky projektbuxhet është elektoral dhe i ideuar të zbatohet jo për t’i shërbyer interesave të qytetarëve shqiptarë, por vetëm interesave personale të pushtetit.

Në fjalën e saj të mbajtur në këshillin ekonomik të PS-së, nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Mimi Kodheli bëri me dije se “Opozita do të vazhdojë të bëjë detyrën e saj duke demaskuar papërgjegjshmërinë e kësaj qeverie dhe duke dalë me alternativat e një buxhetimi dhe të një qeverisje që do të mund të nxjerrë vendin nga niveli i papranueshëm ku ndodhet sot ekonomia shqiptare”.

Sipas Kodhelit, PS, ka këmbëngulur në hartimin e një buxheti që të njihte krizën globale e rajonale; të bazohej mbi të dhëna të besueshme statistikore; të ishte transparent; ta projektojë ekonominë shqiptare drejt ekonomisë së tregut dhe larg monolopeve e ndërhyrjeve korruptive të qeverisë; një buxhet që të ulte varfërinë dhe të nxiste punësimin; të ulte defiçitin buxhetor dhe borxhin publik; të rriste në nivel rajonal shpenzimet për arsim e shëndetësi; të mbështeste zhvillimin rural dhe prodhimin bujqësor; të stabilizonte financat publike dhe të largohej nga politikat buxhetore populiste si dhe të respektonte autonominë e pushtetit vendor, pika kyçe të cilat sipas Kodhelit projekt/buxheti i paraqitur për shqyrtim në Komisionin e Ekonomisë dhe komisionet e tjera nuk i ka.

Kodheli nënvizoi se me projektbuxhetin e vitit 2011 rritja ekonomike do të jetë në nivele të ulëta, pasi opozita parashikon një rritje të PBB nga 0-2%, një rritje që sipas Kodhelit nuk sjell asnjë ulje të papunësise, që vetëm në 2009-ën u rrit me 1%.

Deputetja socialiste theksoi më tej se buxheti vjen me taksa të rritura dhe se niveli i borxhit qeveritar. Duke iu referuar buxhetit të vitit 2010, zonja Kodheli solli sakaq në vëmendje se “Qeveria me shumë optimizëm parashikoi në fillim të 2010-ës një rritje ekonomike 6%, të cilën e uli 4,1% për shkak të paaftësisë, korrupsionit, duke shkrutuar edhe të ardhurat në mes të vitit me 27 miliardë lekë dhe shpenzimet me 39 miliardë lekë. Ndërkohë që FMN parashikoi rritje ekonomike prej 2.3%; ndërsa opozita një rritje prej 0-1%”.

Sipas saj arsyet e mosarritjes ekonomike janë, vazhdimi i krizës globale dhe rajonale; parashikimi zyrtar i inflacionit deri në fund të vitit 3%; cilësia dhe vërtetësia e të dhënave statistikore që lë shumë për të dëshiruar.

Kodheli tha se “është e pamundur të arrihet 3% pasi Inflacioni mesatar zyrtar për 10 mujorin është 3.7 %, andaj tha ajo, kjo mjafton që edhe zyrtarisht rritja për vitin 2010 të jetë 0,5 pike me pak se parashikimi i qeverise; si dhe kreditë e këqija në rritje.

mit/NOA
KOMENTE