English

Sërish zgjedhje në Rahovec, LDK e PDK në balotazh për kreun e komunës

Rahovec, (Kosovë), 22 nëntor, NOA - Qytetarët e komunës së Rahovecit, sërish do të votojnë brenda këtij viti për zgjedhur kryetarin e komunës së tyre, pasi që asnjë nga pesë kandidatët nga pesë parti politike garuese, nuk morën e numrin e mjaftueshëm të votave në zgjedhjet e datës 21 nëntor.

Kandidati i LDK-së, Ibrahim Kryeziu mori më së shumti vota, 28 për qind. Ai u pasua nga kandidati i PDK-së me 26 për qind dhe ai i AAK-së me 25 për qind.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pjesëmarrja në votime për kryetar të komunës së Rahovecit ishte pak mbi 40 %.

Të drejtë vote kishin afro 50 mijë qytetar. Zgjedhjet u zhvilluan në një atmosferë të qetë. Në këto zgjedhje lokale u shënua edhe pjesëmarrje e kënaqshme e serbëve të kësaj komune, ndonëse, asnjë kandidat për kryetar komune nuk ishte nga radhët e komunitetit serb.

Zgjedhjet për kryetar të komunës së Rahovecit ishin zgjedhje të jashtëzakonshme për faktin, që kryetari që u zgjodh në zgjedhjet lokale të vitit 2009, kishte ofruar njëherë dorëheqjen por ishte paraqitur pas 47 ditësh sërish në vendin e tij të punës.

Gjykata Kushtetuese konstatoi pastaj se ai ka bërë shkelje të Kushtetutës për çka edhe u kushtëzua mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

NOA

KOMENTE