English

Si të ndryshojë Kosova?

E vërteta për politikën dhe shoqërinë kosovare ka dalë në shesh. Ajo shihet, preket, hetohet, jetohet. Nuk është temë më kjo e vërtetë. Tema kryesore është si mund të kthehet kjo e vërtetë në një forcë lëvizëse për ndryshimin e gjendjes në Kosovë

Nga Blerim Shala

Eksperimenti i njohur për bretkosën dhe ujin e valë, me gjasë, përshkruan shumë mirë gjendjen e tanishme politike në Kosovë, apo, raportin mbizotërues midis qytetarit dhe skenës politike të vendit. Ky eksperiment i njeh dy faza. Në atë të parën, një bretkosë që qëndron në ujë të ngrohtë, nuk lëvizë dot apo, nuk del jashtë ujit, i cili gradualisht vlon, sepse ndodhë adaptimi i saj në këtë ujë. Në fazën e dytë, në po të njëjtin ujë me atë gjendjen e vlimit, hidhet një bretkosë e cila menjëherë kërcen dhe del jashtë këtij uji, thjeshtë, sepse nuk mund t’i përshtatet temperaturës së lartë të ujit në enën eksperimentale. Vlera e këtij eksperimenti për analizimin e situatës aktuale politike në Kosovë është e qartë. Tek ne, po qe se provojmë t’i shtjellojmë dukuritë kyçe politike dhe shoqërore, gjithnjë e më shumë po përballemi me fenomenin e akomodimit, ambientimit, përshtatjes me realitetin, i cili do të ishte krejtësisht i papranueshëm për dikë prej nesh, sikur ai të kishte një mungesë disavjeçare të qëndrimit në Kosovë. Për të, për shembull, do të ishte i padurueshëm udhëtimi disaorësh rrugëve që lidhin Prishtinën me thuaja të gjitha qendrat tjera në Kosovë. Për te, do të ishte e paimagjinueshme mungesa e rrymës dhe ujit gjatë ditës. Për te, do të ishte e pakuptueshme që në vitin 2010, tre vjet pasiqë Kosova është bërë shtet, kemi probleme ekonomike dhe sociale të këtij lloji, dhe që korrupsioni ndodhë a zhvillohet në pikë të ditës, prej autoriteteve të Republikës së Kosovës. Ky kosovari që s’ka lëvizë fare prej vendit të tij, apo prej “enës” eksperimentale të vlimit gradual, do të mund t’ia përkujtonte kosovarit që nuk ka qëndruar gjithë kohës këtu, dhe që vetëm lëkundë kokën në mosbesim, atë rrëfimin e njohur për skamnorin, sipas të cilit, për te (për fukaranë pra), vetëm tre vjetët e parë janë të vështira. Se pastaj, ai mësohet me jetën e tij. Kaq. Nga perspektiva e përgjithshme politike, gjithnjë duke i mbeur besnik këtij krahasimi midis zhvillimeve politike në Kosovës dhe eksperimentit me bretkosë, mund të thuhet që Qeveria e Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçit do të gjindej në telashe të mëdha (edhe poqëse gjithçka do të ishte në rregull sa i përket koalicionit të PDK-së dhe LDK-së), sikur dy vjet më parë, të ndodhnin një pas një, Raportet e kësisojta ndërkombëtare për gjendjen në Kosovë. Thjeshtë, atëherë, në vitin e parë të pavarësisë, pritjet dhe shpresat e qytetarëve të rëndomtë të Kosovës kanë qenë të larta, është menduar, me të drejtë, që Republika e Kosovës, gjegjësisht institucionet prijëse të saj, do të bëhen forcë lëvizëse e ndryshimeve të mëdha, për të mirë, në jetën e çdo qytetari të Kosovës, dhe të mbarë shoqërisë kosovare. Tani, në përfundim të vitit 2010, të tretit të shtetit të Kosovës, po pakësohet në mënyrë dramatike numri i kosovarëve që tutje besojnë që gjërat këndejpari do të marrin të mbarën. Edhe gjetjet e fundit ndërkombëtare që bazohen mbi matjen e pulsit të kosovarëve, dëshmojnë që është në shterrje e sipër ai optimizmi dhe durimi i famshëm kosovarë, i cili objektivisht ka qenë themeli i stabilitetit në Kosovë. Për vite me radhë ky optimizëm ka qenë real, sepse kosovarët kanë qenë të sigurtë që bërja e Kosovës shtet i pavarur, është një vlerë e jashtëzakonshme politike, ekonomike dhe sociale, prej të cilës do të përfitojnë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Që do të ketë zhvillim të mirëfilltë ekonomik, i cili do të krijojë vende të reja të punës, që do të ndryshojë statusi social i shumicës së qytetarëve, që për qytetarët dhe për vendin si të tillë, do të hapet perspektiva ndërkombëtare, etj.etj. Tani, gjithnjë e më qartë po shihet që prej Republikës së Kosovës kanë përfituar vetëm politikanët që janë në pushtet, madje, edhe aty, është vetëm një shtresë e veçantë që kontrollon dhe mbikqyrë gjithçka, që nëse ke biznes, mund të përfitosh vetëm poqëse ke lidhje të veçanta me zyrtarët qeveritarë dhe ndihmësit e tyre që janë punëdhënësit kryesorë në Kosovë, që nëse madje je qytetarë i thjeshtë, i punësuar në arsim, shëndetësi, kudo, e ke të rrezikuar vendin tënd të punës dhe atë rrogë mujore edhe ashtu të mjerë, poqëse nuk i nënshtrohesh PDK-së dhe interesave të grupeve të veçanta brenda saj, që në një mënyrë apo tjetrën, si qytetarë i Kosovës, mund të mbijetosh në aspektin social, vetëm poqëse gjen “lidhjen” me strukturat e pushtetit të prirë nga PDK e Kryeministrit Thaçi. Në fakt, ky është problemi kryesor i Kosovës (në tërësi), dhe i gjithë qytetarëve të saj: Aktualisht, në fuqi ndër ne është koncepti i mbijetesës e jo ai i zhvillimit, koncepti i ruajtjes së gjendjes së tanishme të keqe (nga frika që “uji” mund të vlojë edhe më shumë, dhe të bëhet krejtësisht i padurueshëm), e jo ai i ndryshimit të saj për të mirë. Që kështu do të jetë edhe tash e tutje, këtë e vërtetojnë edhe dokumentet që Qeveria e Kosovës pak muaj më parë ia ka dërguar Fondit Monetar Ndërkombëtarë (IMF-it), në të cilat është shtjelluar perspektiva ekonomike dhe sociale e Kosovës për periudhën afatmesme. Mesatarja e zhvillimit ekonomik të Kosovës, sipas vetë Qeverisë së Kryeministrit Thaçi, nuk do ta kalojë 5%-shin, që do të thotë, thënë troç, që numri i të papunëve në Kosovë do të rritet, që gjendja sociale do të përkeqësohet, që këndejpari, do të jetohet më keq. Gjendja në një shoqëri nuk vendnumëron asnjëherë. Ose bëhet më e mirë, ose më e keqe. Dhe kjo vërehet në jetën e secilit qytetarë. E vërteta për politikën dhe shoqërinë kosovare tash ka dalë në shesh. Ajo shihet, preket, hetohet, jetohet, tek e mbrama. Nuk është temë më kjo e vërtetë. Tema kryesore është si mund të kthehet kjo e vërtetë në një forcë lëvizëse për ndryshimin e gjendjes në Kosovë. Kjo mbase është pyetja kryesore për secilin qytetar të Kosovës që do të votojë në zgjedhjet parlamentare të 12 dhjetorit. (Blerim Shala është Nënkryetari i Parë i Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës. Kjo kolumne është shkruar për gazetën “Express”)

KOMENTE