Elbasan, 22 nëntor, NOA – Kryetar i Partisë Lëvizja e Legalitetit Ekrem Spahia tha se Partia Socialiste ka turp nga e kaluara e saj. “Kundërshtarët tanë politik kanë ndërruar tre herë emrin e partisë tyre nga Komuniste, në Pune e së fundi në Socialiste. Kanë frikë dhe turp të thonë se janë enveristë dhe internacionalistë se i kanë bërë gjëmën shqiptarëve dhe Shqipërisë”, tha Spahia.
Deklarata e tij u bë në takimin e degës së Partisë Lëvizja e Legalitetit në Elbasan, me rastin e 67 vjetorit të kongresit të parë të Legalitetit, mbajtur më 21 nëntor 1943 në Zall-Herr të Tiranës.
Duke folur për traditën e PLL-së, Spahia u shpreh se anëtarët e kësaj partie e kanë për nder që janë pjesë e nacionalizmit shqiptar.
“Ne legalistët jemi krenar për historinë tonë, se gjatë gjithë ekzistencës tonë kemi kontribuar dhe sakrifikuar për Atdhe dhe Komb. Ne e themi me krenari se jemi zogista, jemi nacionalista”, tha ai.
Spahiu u shpreh se në zgjedhjet e ardhshme PLL do të jetë pejsë e koalicionit qeveritar dhe do të fitojë bindshëm.
“Koalicioni qeveritar nën drejtimin e Kryeministrit Berisha do të fitojë bindshëm. Do të fitojmë Bashkinë e Elbasanit, sikurse do të fitojmë Tiranën, Durrësin, Vlorën, Korçën dhe bashki dhe komuna të tjera, se shqiptarët janë të prirur të votojnë për progresin e tyre”, tha ai.
Ai u shpreh se PLL do të marrë një rezultat shumë më të mirë se në zgjedhjet e vitit 2007.
Në takimin e fokusuar në kongresin historik të PLL-së folën dhe kryetari i PLL të degës Elbasan Albert Shopi.
Ndërsa për rëndësinë e këtij kongresi, që nuk i përket vetëm historisë së Legalitetit, por edhe historisë tonë kombëtare, referuan Prefekti i Qarkut Elbasan Shefqet Deliallisi, Kryetari i PD dhe deputet i Elbasanit Luçiano Boçi, Prof. Nderim Kupi, Prof.Dr. Roland Gjini’ Prof.Dr. Bajram Xhafa dhe. Murat Basha.
a.k/NOA