English

USAID mbështet turizmin e qëndrueshëm në Shqipëri

Tiranë, 22 nëntor, NOA - USAID, në bashkëpunim me ministrinë e Turizmit, ftuan ekspertë ndërkombëtar nga Këshilli për Turizëm të Qëndrueshëm Botëror, Shoqatës “National Geographic” dhe “Expedia” që të takohen dhe të diskutojnë me bizneset kryesore të turizmit shqiptar për mënyrat se si të zbatojnë praktika të qëndrueshme në rritjen e biznesit dhe rritjen e aksesit në tregje.

Parimet Globale të Turizmit të Qëndrueshëm përfaqësojnë 37 parime bazë që një biznes turistik duhet të plotësojë në mënyrë që të mbrojë dhe të sigurojë vazhdimësinë e burimeve natyrore dhe kulturore botërore ndërkohë që zhvillimi i turizmit arrin potencialin e tij, si një mjet për rritjen ekonomike dhe zvogëlimin e varfërisë.

Ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, Shqipërisë i mungon një sistem klasifikimi, të cilit shumë udhëtarë mund t’i referohen kur planifikojnë akomodimet dhe itineraret e udhëtimit.

Turizmi shqiptar është rritur me hapa të mëdha gjatë vitet e fundit, duke kontribuar me mbi 2.4 miliardë dollarë në 2009 dhe pritet të rritet me 4% në 2011, bazuar në statistikat e Këshillit Botëror të Udhëtimit dhe Turizmit. Mbi 200,000 shqiptarë punësohen në biznese turistike dhe ky numër pritet të rritet në 2010-11, pavarësisht nga efektet e krizës botërore në industrinë e turizmit.

“Turizmi në Shqipëri ndodhet në një pikë kritike të zhvillimit,” vërejti drejtori i misionit të USAID, Xhozef Uilliams gjatë seminarit mbi Turizmin e Qëndrueshëm mbështetur nga USAID.

“Vendimet e marra sot janë të rëndësishme si për rritjen ashtu edhe për mbrojtjen e burimeve të pasura natyrore, kulturore, dhe historike të Shqipërisë. Parimet Globale të Turizmit të Qëndrueshëm dhe programi i Markës së Cilësisë Authentic Albania janë dy nisma të mira për të siguruar që zhvillimi i turizmit në Shqipëri të jetë i qëndrueshëm dhe të bazohet në tendencat dhe praktikat më të mira ndërkombëtare”, shtoi ai.

Në muajt që do të vijnë, USAID dhe Shoqata e Turizmit Shqiptar do të nxjerrin sistemin e parë shqiptar të klasifikimit për bizneset akomoduese të turizmit. Hotelet dhe bujtinat do të vlerësohen bazuar ndër të tjera në Parimet e Qëndrueshmërisë së Turizmit Global dhe pastaj do të klasifikohen me vlerësim të artë, argjendtë, ose bronztë; klasifikim që do të publikohet në një faqe interneti dhe në broshura udhëtimi për turistë të huaj.

“Marka e Cilësisë Authentic Albania do të bëhet një mjet i rëndësishëm marketingu për rritjen bizneseve ekzistuese dhe ato të reja në sektorin e turizmit si markë e cilësisë dhe shërbimit ndaj klientit,” tha Matilda Naço, Drejtore Ekzekutive e Shoqatës Shqiptare të Turizmit. “Dhe ndërkohë që ajo ndihmon direkt bizneset, ajo do të shërbejë si një udhëheqës për vizitorët që të kenë eksperiencën më të mirë të mundshme në Shqipëri.”

Mbi Rritje Albania: Rritje Albania, projekti i USAID-it Zhvillimi i Ndërmarrjeve Konkurruese, mbështet rritjen e qëndrueshme ekonomike në Shqipëri, duke fuqizuar tregtinë dhe aftësinë investuese, rritjen e prodhimtarisë së ndërmarjeve, dhe përmirësimin e fuqisë punëtore shqiptare. Projekti ndihmon ndërmarrjet jo-bujqësore të jenë konkurruese më të forta në treg, të rrisin të ardhurat dhe nivelin e punësimit duke zgjeruar aktivitetin e biznesit të tyre.

n.e/NOA

KOMENTE