Athinë, 23 nëntor, NOA - Mungesa e xhamive i detyron besimtarët myslimanë, kryesisht afrikano-aziatikë, të dalin festave nëpër sheshe për lutje fetare duke ngjallur tensione me forcat ekstremiste por edhe besimtarët e “revoltuar” të krishterë.
Siriani, Smilar Ahmed Naim, sapo ishte lutur bashkë me qindra bashkëbesimtarë myslimanë në Propilea, në sheshin qendror para Universitetit të Athinës, me rastin e festës së Kurban Bajramit. I veshur me kostum dhe kravatë si në ditë feste, sikur ndrinte dhe më tepër, kur fliste për mesazhin e festës, atë të “bashkëjetesës dhe dashurisë” midis myslimanëve dhe të krishterëve. “Gruaja ime është e krishterë dhe unë jam mysliman. Jetojmë në harmoni në familje dhe jemi shumë të dashur.
Kemi 15 vjet të martuar”, thotë për DW Sirla Ahmed Naim, që dëshiron dhe ëndërron të shohë “të njejtën harmoni dhe në marrëdhëniet midis të gjithë të krishterëve dhe myslimanëve të Greqisë”. Vetëm përshtypjen e një “demostruesi të forcës së fesë islame” nuk të jep Smilar Ahmed Naim edhe pse, sikurse u fol në masmedia, dhjetëra mijëra besimtarë të fesë islame me daljen e tyre në rreth 20 sheshe publike të Athinës, por edhe qytetëve të tjera të Greqisë kujtuan indirekt, por dhe direkt nevojën e funksionimit legjitim të vatrave të besimit islam, por edhe të njohjes së identitetit të tyre kulturor dhe fetar.
Mungesa e xhamisë në dëm të vetë imazhit demokratik të Greqisë
“Të mblidhemi, të mos jemi përditë nëpër rrugë, nëpër magazina, nëpër taraca, nëpër trotuare”, thotë Naimi për një praktikë, që në masën që dëshpëron myslimanët stigmatizon dhe vetë imazhin demokratik dhe tolerancën ndërfetare të një vendi evropian si Greqia. Kjo është, që i bën fjalët e kreut të Komunitetit Mysliman të Greqisë (Muslim Association of Greece) Naim Elghandour, të tingëllojnë në mikrofonin e DW jo aq si “diplomaci fetare” se sa si një shqetësim i natyrshëm dhe me frymë praktike në sfondin e krizës së thellë. “Më intereson imazhi i Greqisë jashtë shtetit, që ka nevojë për investimet e arabëve dhe të vendeve të pasura myslimane. Por kjo pengohet nga mungesa e një vendi kulti, të një xhamie, por edhe nga vala e racizmit fetar të një numri të paktë grekësh, gati 1%, që nxijnë imazhin e vendit”, thotë Naimi.
E djathta ekstreme kundër ngritjes së xhamisë
Ishin vërtetë një pakicë, kryesisht anëtarë të organizatës së ekstremit ultra të djathtë “agimi i artë”, por edhe qytetarë të “revoltuar”, që në sheshin Atiqi pengonin lutjen e myslimanëve me muzikë marramendëse dhe duke qëlluar me vezë besimtarët. “Jashtë të huajt nga Greqia" ishte parulla, që dominoi se bashku me afishet “xhami në Athinë? kurrë dhe asgjëkundi” të organizatës ekstremiste, që në zgjedhjet lokale të 7 nëntorit zgjodhi për herë të parë dhe kreun e saj Nikos Mihallolakos si këshilltar bashkiak. “Pjesa më e madhe janë imigrantë klandestinë. Pa letra, pa gjë fare”, thotë një qytetar. Kjo revoltë, që ushqehet, ç'është e vërteta, nga pamundësia e shtetit për të venë nën kontroll klandestinët afrikano-aziatikë në distrikte të tilla, si Shën Panteleimoni dhe Atiqi, bëhet argument politik për të djathtën, që shikon tek minareja “thellimin e getoizimit në qendren historike të Athinës” dhe sidomos për partinë nacionaliste Alarmi Ortodoks Popullor, që kundërshton ngritjen e një xhamie në kryeqytet. “Të ekzistojnë disa vende legjitime kulti, por asnjë xhami. Të drejta fetare vetëm për qytetarët e ligjshëm”, thotë deputeti i saj Athanasios Plevris, që akuzon qeverinë për “hipokrizi” pasi, sipas tij, “flet për të drejtën fetare të klandestinëve dhe injoron të drejtën e ligjshme të qytetarëve të qarkullojnë të lirë”.
Kërkesë e ligjshme e vetë myslimanëve grekë
Ngritja e xhamisë në Athinë nuk është një kërkesë e klandestinëve, por e vetë myslimanëve grekë në origjinë, apo me nënshtetësi greke, si kreu i tyre Naimi, që ka 38 vjet, siç thotë, në Greqi. A do të ngrihet më në fund xhamia në Athinë, e kërkuar për herë të parë në vitin 1938, e shtruar zyrtarisht nga vendet islamike në vitet 80-të, e premtuar dhe e projektuar në prag të Olimpiadës të vitit 2004 dhe e aprovuar me ligj të qeverisë së djathtë të Karamanlisit në vitin 2006? “Do të ngrihet. Por përparon, siç përparojnë të gjitha gjërat në Greqi. Avash, avash”, thotë Naimi. Të njëjtin optimizëm ndan edhe imami Mohamed Baddari, profesor i Universitetit Al Azhar të Egjiptit, që si çdo vit dërgoi dhe sivjet imamin për lutjen fetare për besimtarët e Athinës. “Dashtë Zoti, me ndihmën e tij vepra do të bëhet, se ndërtimi i xhamisë është çështje kulture, që tregon dashuri ndaj feve të tjera”, thotë imami për të theksuar se sot “nuk mund të pengojmë njerëzit të adhurojnë Zotin e tyre”. “Duhet t'u flasim atyre fëmijëve, pse kanë këtë urrejtje kundër fesë tjetër. Nuk duhet të ndahemi në grupe kundërshtare të feve të ndryshme” thotë për të “revoltuarit” e krishterë të ditës së Kurban Bajramit dhe për kundërpeshë kujton këshillën e “Profetit për të ndihmuar vëllezërit tanë të krishterë”.
Në pritje të xhamisë, edhe myslimanët shqiptarë
Ngritjen e një xhamie e presin edhe myslimanët shqiptarë, por më shumë si një të drejtë të ligjshme “për të tjerët”, për afrikano-aziatikët, se sa për veten e tyre, kur në pjesën e tyre dërmuese janë bektashinj. Si Medi Braçaj nga Skrapari: “Në përgjithësi bektashinjtë fetarë ishin, por nuk ishin njerëz që të përuleshin, të bënin lutje dhe të besonin thellë. Veç kësaj për shkak dhe të sistemit të mëparshëm ateist ne shqiptarët jemi të tipit laik”. Këtë pasivitet të tyre që nuk hynë në mundim të ngrenë dhe një komunitet mysliman në Greqi, Astrit Korpi e shikon si mëkat të “traditës së dobët shqiptare të organizimit”, por edhe përparësisë, që përfton mbijetesa në emigracion. Megjithatë “Sado pak të organizuar, ekzistenca e një xhamie në Athinë është bërë e domosdoshme edhe për komunitetin shqiptar. Në këtë kuptim ata do të gëzohen dhe do ta presin me shumë mirësi ngritjen e një institucioni të tillë. A do të ndodhë një gjë e tillë? Politika zyrtare është e detyruar që të zbatojë parametrat fetarë, të respektojë të gjithë qytetarët me ndjenja të ndryshme fetare”.
Sfidë dhe angazhim personal për kryeministrin Papandreu
Reagimet negative vetëm sa e përforcuan dhe e bënë më të “tretshme” dhe familjare idenë e një xhamie në Athinë, që mbrohet hapur nga e majta dhe në parim nuk kundërshtohet as nga kisha me kryepeshkopin e saj të moderuar aktual Ieronimos. Vetëm kështu do të evitohen lutjet fetare përballë bustit të Platonit, apo Aristotelit, siç theksoi elita intelektuale dhe ministri turk i Çështjeve Evropiane, Egemen Bagash, nuk do të ketë mundësi të “fotografojë” Greqinë si i vetmi vend evropian pa një xhami, siç bëri këto ditë në Bruksel. “Ekziston angazhimi i kryeministrit dhe nëqoftëse nuk bëj gabim është aprovuar edhe ligj për xhaminë”, theksoi zëdhënësi i qeverisë, Jorgos Petallotis. Mbetet që Papandreu, si reformator, t'i shkojë deri në fund kësaj rruge, ku e pret për të marrë stafetën për një tjetër xhami në qytetin e tij kozmopolit edhe kryebashkiaku “heretik” i porsazgjedhur i Selanikut, Janis Butaris.
DWelle