Tiranë, 23 nëntor, NOA - Kompania farmaceutike "Megapharm” depozitoi dje pranë Gjykatës së Lartë kallëzimin penal kundër deputetit socialist Eduart Shalsi, për “shpifje, dëmtim të imazhit të bërë botërisht për më shumë se një herë nga i akuzuari”.
“Për disa ditë me radhë, Partia Socialiste, nëpërmjet deputetit Shalsi ka akuzuar ministrin e Shëndetësisë Vasili për favorizim të kompanisë farmaceutike "Megapharm" në tendera. Kompania i konsideron deklaratat e deputetit si fushatë të gjerë shpifjesh me qëllim denigrimin e figurës sonë dhe dobësimin financiar”, citojnë burimet zyrtare të kompanisë.
Duke shtuar se gjatë vitit 2010, kompania “Megapharm” nuk ka marrë pjesë në asnjë tender të organizuar nga Ministria e Shëndetësisë, por ka marrë pjesë në tendera të hapur, transparent dhe elektronik, të zhvilluar nga çdo spital rajonal, në mënyrë të pavarur dhe të mbikqyrur nga Agjensia e Prokurimit Publik (APP).
“Pretendimet e të kallëzuarit arrijnë në shifrën e 9 milion Euro ndërkohë që ne si kompani jemi shpallur fitues vetëm me 3,2 milion Euro fond tenderimi dhe të gjitha këto janë lehtësisht te dokumentuara. Ndërkohë, ne si kompani vlerësojmë se deklaratat e deputetit Shalsi nuk vijnë nga padijenia apo mungesa e informacionit prej tij, por me qëllim shpifjen dhe denigrimin e figurës sonë për qëllime të errëta, në dëm të
“Megapharm”, duke u munduar t'u veshë deklarimeve shpifëse ngjyrime politike”, përfundon deklarata e kësaj kompanie farmaceutike.
n.e/NOA