Shkup, 23 nëntor, NOA - Shumica e partive politike shqiptare mbështesin propozimin për zgjedhje të parakohshme, pas paralajmërimit për ngritjen e mocionit të mosbesimit të qeverisë.
Lidhja Social-Demokrate (LSDM), si një nga forcat më të mëdha të opozitës paralajmëroi se nga mesi i muajit të ardhshëm do ti dorëzojë Parlamentit, mocionin për mosbesimin e Qeverisë së koalicionit VMRO-DPMNE dhe BDI.
Partitë politike opozitare shqiptare njëzëri janë për të shkuar drejt zgjedhjeve të parakohshme.
Demokracia e Re bëri të ditur se mbështet çdo propozim që vjen për largimin e kësaj Qeverie.
“Ne jemi pro zgjedhjeve të parakohshme, kundër një qeverie të tillë anti-shqiptare dhe anti-inegrimeve evroatlantike. Andaj do të mbështesim çdo nismë që vjen për largimin e kësaj qeverie dhe për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme”, deklaroi zëdhënësi i DR-së, për agjencinë e lajmeve INA, Arianit Hoxha, duke shtuar se partia e tyre do të ndjekë zhvillimet në këtë drejtim.
PDSH gjithashtu ka paralajmëruar se është e gatshme për t`u ballafaquar në zgjedhje të parakohshme. Lideri i kësaj partie, Menduh Thaçi në disa paraqitje të tij ka shprehur interesin për largimin e kësaj qeverie.
“PDSH-ja e preferon mënyrën më të butë demokratike të zgjedhjeve të parakohshme për shkak se situata nëse zvarritet kështu, është situatë konfliktuoze”, ka theksuar kohë më parë kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi.
Partia shqiptare në pushtet BDI bëri të ditur se do të shqyrtojë kërkesën e fundit dhe paralajmërimet për mocionin e mosbesimit të qeverisë nga opozita maqedonase.
“Kryesia qendrore e BDI-së do të shqyrtojë këtë propozim të opozitës, me ç`rast do të dalim edhe me qëndrimin tonë partiak. Mirëpo çdo parti sigurisht se në çdo moment duhet të jetë e përgatitur për të dalë para qytetarëve në zgjedhje të rregullta, por edhe të parakohshme”, deklaroi anëtari i lartë i BDI, Rafiz Haliti.
Edhe në radhët e VMRO-DPMNE të kryeministrit Nikolla Gruevski bëjnë të ditur se i konvenojnë zgjedhjet e parakohshme dhe se kjo parti në mënyrë serioze do të shqyrtojë këtë propozim. “Treguesit bëjnë të ditur se VMRO-DPMNE ka përparësi absolute dhe nga kjo pikë ne si parti na konvenojnë zgjedhjet e parakohshme, mirëpo ne si parti në pushtet do të analizojmë seriozisht të gjitha zhvillimet në shtet dhe më pas do të vijojnë hapat tonë të mëtejshëm”, deklaroi deputeti dhe anëtari i kryesisë së VMRO-DPMNE-së, Petar Pop-Arsov.
LSDM opozitare paralajmëroi se muajin e ardhshëm do ti dorëzojë Parlamentit mocionin për mosbesimin e qeverisë aktuale, për shkak të bllokimit të proceseve integruese, varfërisë dhe krizës së përgjithshme që ka mbretëruar në vend.
NOA-INA